Rossi: Me Marquezin pajtohem pas 30 vjetësh

02 shtator 2021 | 12:18

Lamtumira e gjatë ka nisur. Valentino Rossi prej pak më shumë se një muaji ka bërë me dije vendimin për t’u tërhequr në fund të sezonit.

Kështu, çdo Çmim i Madh kthehet në një çast special për t’u shijuar deri në fund. Kur mbyllet një karrierë e tillë me 9 tituj kampionë bote e shumë rekorde, bilancet janë të paevitueshme, sportive, por edhe ato për raportet njerëzore. Një të tillë bën në intervistën e tij piloti italian, që flet edhe për rivalët. Një i tillë është edhe Marc Marquez, edhe pse marrëdhëniet e Rossit me të janë të ftohta, raporton “Supersport”. “Është një rival i madh, shumë i fortë dhe i shpejtë, një ndër më të mirët, por me të nuk ndihem shumë mirë, e kam të vështirë të luftoj kur është në pistë”, ka thënë Rossi.

Kur e pyesin për një pajtim të mundshëm me Marquezin, Rossi përdor ironinë, duke u përgjigjur: “Për këtë flasim ndoshta pas 20 apo 30 vjetësh”.  Krejt ndryshe është komenti i tij për dy kundërshtarë të tjerë historikë. “Casey Stoner ka qenë një ndër pilotët më të talentuar dhe më të vështirë për t’u mundur. Për mua, nëse flitet për talentin e pastër, ai është i pakrahasueshëm. I njëjti diskutim vlen edhe për Jorge Lorenzon”, ka deklaruar Rossi.

Momentet e rivalitetit të madh me spanjollin janë lënë pas, siç demonstron edhe një batutë e Valentinos. “Nuk meritoja një shok si Lorenzo pas asaj që kisha bërë për Yamahan. Kisha nevojë për dikë më të ngadaltë”. Në fund, edhe një rrëfim. “Doktori” ka qenë gjithmonë një mjeshtër në parakalime, por nga kush e ka marrë frymëzimin për ta perfeksionuar artin e shkëputjes? Valentino shpjegon: “Alex Barros mendoj se ka qenë një nga pilotët prej të cilëve kam mësuar të frenoj dhe të futem në kthesë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se me…