Nurellari: Qeveria po e pranon pa e kuptuar ‘taktikën e sallamit’ të Serbisë

03 shtator 2021 | 22:44

Anëtari i kryesisë dhe sekretari për program i PDK-së, Adri Nurellari, ka kujtuar se nesër skadon moratoriumi për çnjohje që u nënshkrua në Uashington.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se qeveria është e papërgatitur për t’u përballur me rinisjen e fushatës së çnjohjeve nga Serbia.

Sipas tij, qeveria e ka nxjerrë jashtë funksioni shërbimi diplomatik në kohën me delikate dhe vetëm nga fillimi i vitit që vjen mund të zëvendësohen ambasadorët e shkarkuar.

Për të është veçanërisht alarmante mungesa e ambasadorit në Kanbera dhe Dakar prej nga mbulohet Paqësori dhe Afrika, ku edhe ka më shumë gjasa të arrihen çnjohje prej veprimtarisë së shtuar të diplomacisë serbe.

Postimi i plotë i Nurellarit:

Nesër mbushet një vit nga marrëveshja e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë duke skaduar edhe moratoriumi njëvjeçar për ndërprerjen e çnjohjeve nga Serbia dhe të aplikimeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk ka ndonjë plan për të aplikuar në ndonjë organizatë ndër-shtetërore e parandaluar çnjohje të tjera, por madje e ka sabotuar shërbimin diplomatik duke e nxjerrë pothuaj tërësish nga funksioni.

Prej kohësh Serbia është duke punuar nën rrogoz për të siguruar çnjohje nga shtete të tjera sikurse mund të nënkuptohet nga agjenda e ministrisë së jashtme serbe ne Egjipt e shtete afrikane. Po ashtu vaksinat serbe dhuratë në këto vende nuk janë aspak rastësi, mirëpo qeveria aktuale prioritet kryesor ka spastrimet politike të shërbimit diplomatik dhe shpërblimin e mbështetësve të saj me  karrige ambasadori.

Ministria e Jashtme dhe Diasporës ende nuk ka propozuar zëvendësues për misionet e mbetura pa ambasadore.

Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme  të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj çohen në Kuvend të Kosovës tek komisioni për Punë të Jashtme. Ky komision i interviston dhe përgatit raport për secilin prej tyre, të cilën e dërgon në Presidencë për dekretim. Pasi merret pëlqimi prej vendit pritës mandej duhet një kohë tjetër e gjatë nga dekredimi i presidentes deri tek dorëzimi i letrave kredenciale tek kryetari i shtetit mik në varësi të agjendës së tij. Pra edhe po të nisë tani procedura, këta ambasadorë bëhen plotësisht funksionalë në rastin më të mirë gjatë fillimit të vitit 2022. Ndërkaq ne nuk kemi ambasadorë në shtetet më të rëndësishme duke theksuar këtu mungesën në Kanbera që mbulon të gjithë Paqësorin dhe  në Dakar, ambasadë e cila e mbulon të gjithë Afrikën. Të dy këto janë pjesë të globit ku Serbia ka më së shumti shanse për të siguruar çnjohje.

Zmbrapsja e Kosovës si pasoje e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie nuk po ndodh vetëm në diplomaci por edhe në fusha të tjera nevralgjike. Pranimi i qindëra funksionarëve shtetëror të Beogradit gjatë pandemisë, tolerimi i vendosjes së gurit të universitetit paralel në Mitrovicë, heshtja e autoriteteve të Kosovës për targat jolegale në veri, lejimi i koncertit të një grupi muzikor çetnik në Leposaviq etj etj. Të gjitha këto e shumë nisma të tjera në fusha te ndryshme, janë pjesë e të ashtuquajturës “taktikë e sallamit” që po përdoret nga Serbia. Ky term nënkupton përdorimin e lëvizjeve e provokimeve  të vogla, asnjëra prej të cilave në vetvete nuk do të përbënte një shkak për të rishpërthyer konfliktin (casus belli), por në mënyrë kumulative, pra të mbledhura bashkë, ato prodhojnë një rezultat shumë të madh në favor të palës që i ndërmerr. Avantazh ky  i cili do të ishte i vështirë për t’u arritur njëherësh pa pasoja të rënda në arenën ndërkombëtare.

Këtu qëndron edhe alegoria me sallamin, pala agresore pret feta shumë të hollë shpesh duke i maskuar veprimet si mbrojtje. Kështu në mënyrë të vazhdueshme Serbia shkon pa u vënë re në kafshimin e një cope të madhe sallami, pa hasur në kundërshtime të forta. Kjo situatë përfundimisht çon në përfitime dhe përparësi të mëdha strategjike për Serbinë dhe në një zmbrapsje apo përkeqësim të ndjeshëm të pozicionit të Kosovës.

Nga ana tjetër e frontit, qeveria kosovare po rri duarkryq teksa nuk e kupton që po i rrëshqet dheu nën këmbë duke mos reaguar ndaj këtyre nismave të sofistikuara serbe.  Ajo është duke e humbur rrugën në oborr në lojën e qeverisjes dhe po e gëlltit këtë “taktikë të sallamit” pa kurrfarë ngurrimi. Fatkeqësisht pushtetarët aktualë kanë kaluar gjithë jetën e deritanishme politike me opozite të dhunshme destruktive e duke lexuar dogma neomarksiste të padobishme. Prandaj gjenden sot pa përvojën dhe kompetencën që nevojiten për të drejtuar siç duhet një shtet demokratik me sfida të panumërta si Kosova. Një mënyrë e përshpejtuar për të kuptuar “taktikën e sallamit” dhe për t’u zgjuar nga gjumi mund të jetë ndjekja e këtij skeçi prej telekomedisë së famshme britanike “Yes Prime Minister”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka shtuar aktivitetet në…