Flasin nga prokuroria për vrasjen e dy zyrtarëve të PDK-së: Hetimet po zhvillohen në disa pista

09 shtator 2021 | 12:35

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelorë të Pejës, Shkodran Nikçi, në një konferencë për media lidhur me rastin tragjik të së mërkurës në Pejë ku janë vrarë dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për obduksion.

Nikçi ka thënë se derisa të vazhdojnë hetimet janë të rezervuar në dhënien e informatave pasi rasti është i ndjeshëm dhe mund të dëmtohet procesi i hetimeve.

“Të mërkurën mbrëma si pasojë e të shtënave me armë dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet policore dhe prokurorja e Departamentit të krimeve të rënda.  Sot gjatë ditës kryeprokurori, prokurorja dhe hetuesit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë intensive po zhvillohen hetimet që të zbulohen rrethanat dhe motivet”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka thënë se janë sekuestruar dy armë, derisa dy trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“….Në disa pista janë duke u zhvilluar hetimet dhe pasi hetimet të përfundojnë do të dalim me njoftim zyrtar. Derisa të vazhdojnë hetimet duhet të jemi të rezervuar pasi është rast i ndjeshëm dhe mund të dëmtohen hetimet”, ka thënë Nikçi.

Vrasja e mbrëmshme në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën, ku të vdekur mbetën kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i po kësaj partie, Blerand Kadrijaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
International Adana Golden Boll Film Festival edicioni i 28-të, që…