Merkeli i përgjigjet pyetjes që e kishte shmangur prej kohësh
Kancelarja gjermane, Angela Merkel mund të ketë qenë në mëdyshje për ta përshkruar veten si feministe në të kaluarën, por tash kur po numëron ditët e saj të fundit në detyrë, ajo e ka bërë të ditur pozicionin e saj.
Duke folur me gazetarët pas një ngjarjeje me shkrimtaren nigeriane, Chimamanda Ngozi Adichie në Düsseldorf të mërkurën, Merkeli ka folur për perspektivën e saj të re mbi feminizmin.
“Në thelb, bëhet fjalë për faktin se burrat dhe gratë janë të barabartë, në kuptimin e pjesëmarrjes në shoqëri dhe në jetë në përgjithësi. Dhe në këtë kuptim mund të them: ‘Po, unë jam feministe’. Ne të gjithë duhet të jemi feministë!”, ka thënë Merkeli.
Kjo deklaratë i ka dhënë përgjigjen e shumëkërkuar edhe në Samitin e Grave 20 në Berlin, në 2017, kur Merkeli është pyetur drejtpërdrejt nëse ajo ishte feministe.
Në atë rast, Merkeli nuk i është përgjigjur pyetjes drejtpërdrejt, duke shkaktuar kritika dhe zhgënjim nga shumë njerëz.
Në ngjarjen e së mërkurës, kancelarja e parë femër e Gjermanisë ishte më e sinqertë dhe pranoi qasjen e saj ngurruese në të kaluarën.
“Tani është më e menduar. Dhe në këtë kuptim, mund të them që të gjithë ne duhet të jemi feministë”, ka thënë Merkeli.