2 000 fëmijë e familje dhe 224 punonjës social përfitojnë nga marrëveshja UNICEF – UP

09 shtator 2021 | 14:08

Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në partneritet me Bashkimin Evropian kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi: “Përmirësimi i qasjes në shërbimet e shëndetit mendor dhe psiko-social për fëmijët dhe familjet dhe vlerësimin e ekosistemit digjital për mësim online”.

Nga ky partneritet do të përfitojnë rreth 2 000 fëmijë dhe familje, si dhe do të trajnohen rreth 224 punonjës social për të ofruar shërbime për familjet dhe fëmijët.

Pandemia Covid-19 shpesh ka shkaktuar shqetësime dhe ka ndikuar negativisht në shëndetin mendor dhe gjendjen psiko-sociale të fëmijëve, si dhe familjeve të tyre, veçanërisht për fëmijët më të cenueshëm.

Në të njëjtën kohë, punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve në vijën e parë të frontit shpesh nuk kishin aftësi dhe ekspertizë për t’i adresuar çështjet e shëndetit mendor dhe psiko-social.

Mbyllja e shkollave ndikoi edhe më shumë në shtimin e sfidave në mësimnxënie pasi shumë fëmijë dhe adoleshentë nuk kishin qasje në arsimim për shkak të mungesës së qasjes në internet dhe teknologjisë, kur edhe filloi mësimi online pa qenë të përgatitur me fillimin e pandemisë, ku gjithashtu mungonin edhe platformat adekuate online dhe shkathtësitë e nevojshme në mesin e mësimdhënësve.

Ushtruesja e detyrës së shefes së zyrës së UNICEF -it në Kosovë, Larissa Bruun, ka thënë se ky partneritet mundëson adresimin drejtpërdrejt në disa nga sfidat e shkaktuara nga situata e pandemisë përmes rritjes së reagimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe arsimimit, duke siguruar që shërbimet të jenë më të barabarta, gjithëpërfshirëse dhe t’i plotësojnë nevojat e fëmijëve më të cenueshëm dhe prindërve të tyre.

“Partneriteti do të gjenerojë njohuri mbi ndikimin e situatës së pandemisë tek fëmijët dhe familjet dhe do të mundësojë ofrimin e shërbimeve me fokus në barazi. Ky partneritet i ri me akademinë për mirëqenien e fëmijëve do të na lejojë t’i eksplorojmë së bashku mënyra se si të përmirësohen rezultatet për fëmijët përmes gjenerimit të provave dhe reagimit”, ka deklaruar ajo.

Ky partneritet i ri është pjesë e një iniciative rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi për ta zbutur ndikimin e Covid-19 në jetën e fëmijëve dhe familjeve, dhe mbështetet nga BE-ja.

Qëllimi i këtyre partneriteteve të nënshkruara me Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës është të punojë veçanërisht në dy komponente kryesore: Forcimi i kapacitetit të punonjësve socialë për të ofruar shërbime të mbrojtjes së fëmijëve online dhe offline, duke përfshirë shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale për fëmijët dhe familjet gjatë dhe pas pandemisë Covid-19; Qasje të kombinuara dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës bazuar në vlerësimin e nevojave të ekosistemit digjital, për monitorim dhe vlerësim për planifikim efektiv në shkolla.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka vlerësuar lartë kontributin e UNICEF-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në këtë drejtim. “Universiteti i Prishtinës do të tregojë lidership dhe pronësi si pjesë e këtij partneriteti që synon të arrijë rezultate të përbashkëta në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve dhe familjeve të tyre të prekura nga situata me pandeminë dhe pas pandemisë”, ka pohuar ai.

Ndërsa, Dario Di Benedeto, udhëheqës i ekipit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për Departamentin e Zhvillimit Social – Bashkëpunimit, ka theksuar se projekti që po fillojnë sot, është pjesë e një nisme rajonale të financuar nga BE-ja.

“Ky projekt është mbështetje për përpjekjet e BE-së për t’i mbrojtur grupet më të cenueshme në Kosovë si reagim ndaj ndikimeve të Covid-19. BE-ja e mirëpret këtë bashkëpunim që e kombinon ekspertizën e dy partnerëve të rëndësishëm të BE-së, UNICEF-it dhe Universitetit të Prishtinës, me synim mbrojtjen e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve gjatë pandemisë dhe më gjerë”, ka thënë Di Benedeto.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Legjenda braziliane, Pele ka thënë se është duke u shëruar…