Shtyrja e zgjedhje të shpallura nga Presidenti, tejkalim i kompetencave

10 shtator 2021 | 12:49

Analisti politik Alber Krasniqi ka bërë me dije se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka të drejtë t`i shtyjë zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se për të parë nëse presidenti ka mandat për të shtyrë apo anuluar zgjedhjet, duhet t’i referohemi Opinionit të Komisionit të Venecias për rastin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri në vitin 2019 nga presidenti Ilir Meta.

Sipas tij, në këtë rast, Komisioni i Venecias ka konstatuar se shtyrja e zgjedhje të shpallura nga Presidenti, është tejkalim i kompetencave të tij kushtetuese.

Krasniqi ka treguar se zgjedhjet mund të shtyhen vetëm nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe nëse bazohet në një konsensus të akterëve kryesorë politik.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Se a ka mandat Presidenti për të shtyrë apo anuluar zgjedhjet, më së miri është t’i referohemi Opinionit të Komisionit të Venecias për rastin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri në vitin 2019 nga Presidenti Ilir Meta.

Presidenti Meta, pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve për 30 qershor, ka anuluar këtë dekret dhe pa konsultim me të gjitha partitë politike ka caktuar një datë të re për 13 tetor. Këtë vendim Meta e kishte arsyetuar me rrezikun e përshkallëzimi të dhunës në vend. KQZ e ka cilësuar vendimin e Presidentit si “akt administrativ të pavlefshëm” dhe ka organizuar zgjedhjet sipas dekretit të parë më 30 qershor. Opozita ka bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se shtyrja e zgjedhje të shpallura nga Presidenti, është tejkalim i kompetencave të tij kushtetuese.

Në raport është argumentuar se:

– Presidenti, edhe pse e ka të drejtën e shpalljes së datës së zgjedhjeve – kur kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut – nuk e ka edhe të drejtën e anulimit. Shtyrja apo anulimi i zgjedhjeve afekton drejtpërdrejtë të drejtën e votës, që është e drejtë e njeriut e njohur sipas instrumenteve ndërkombëtare;

– Pasi të jetë caktuar data e zgjedhjeve, akterët politikë duhet të jenë në gjendje t’i besojnë këtij vendimi, dhe një ndryshim i një vendimi të tillë ka nevojë për një konsensus të gjerë (dhe një bazë të përshtatshme ligjore). Shtyrja e zgjedhjeve, pas mandatit elektoral rezulton në humbje të legjitimitetit të institucioneve të zgjedhura;

– Edhe nëse Presidenti ka një qëllim legjitim të caktojë një datë të re të zgjedhjeve apo të anulojë ato, nuk mund ta bëjë këtë nëse një kompetencë e tillë nuk është e paraparë në Kushtetutë apo Kodin Zgjedhor.

Zgjedhjet e shpallura mund të shtyhen apo anulohen vetëm në këto dy rrethana:

  1. i) Nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme;
  2. ii) Nëse bazohet në një konsensus të akterëve kryesorë, që lejon miratimin e një baze të përshtatshme ligjore për krijimin e një kompetence ad hoc për të shtyrë zgjedhjet.

Konstatimet e Komisionit të Venecias vlejnë edhe për rrethanat në Kosovë, pasi kompetenca e Presidentit në të dy vendet është e kufizuar vetëm në shpalljen e zgjedhjeve, dhe jo shtyrjen apo anulimin e tyre.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar dhe ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Latifi është përfshirë…