GJYKATA SPECIALE DHE TË DREJTATE NJERIUT!

10 shtator 2021 | 13:42

Nga: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ)

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Gjykatës Speciale, Ekaterina Trandafilova me datë 7 dhe 8 shtator 2021 ka vizituar Kosovën për të informuar për punën e kësaj gjykate. Takimi në Prishtinë u realizua me shoqërinë civile dhe në Mitrovicën e Veriut, gjithashtu me shoqërinë civile. U lejuan disa pyetje selektive nga gazetarët sikur që kryetarja e Gjykatës Speciale ishte në intervistë në “Rubikon” si dhe u takua me ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu. Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trandafilova, me bashkëpunëtorë bëri përpjekje që të drejtat e njeriut të të paraburgosurve, shtetas të Kosovës e që sipas KMDLNj-së mbahen peng po respektohen përtej çdo standardi të rregulluar me dokumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut madje dhe më tepër se që parashohin “Rregullat e Mandeles”, si standard më i lartë i vendosur nga OKB-ja për personat e privuar nga liria. Si shembull për këtë e përmendi një deklaratë para trupit gjykues të një shtetasi kosovar të arrestuar në Kosovë dhe të transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë se: “arrestimi i tij ka qenë korrekt dhe se e ka falënderuar stafin për sjellje korrekte…”.
Në anën tjetër nuk e përmend rastin e një të arrestuari, tash të paraburgosuri që është mbajtur i prangosur për orë të tëra në shtëpinë e tij dhe i cili në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale botërisht ka deklaruar se: “ata që e kanë arrestuar më parë (regjimi i Jugosllavisë dhe Serbisë), kanë pasur sjellje shumë më korrekte se Gjykata Speciale…”. Tash, krahasoni standardet e Millosheviqit me “Rregullat e Nelson Mandeles” për personat e arrestuar? KMDLNj pati reaguar shumë herë kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut të të paraburgosurve, shtetas të Kosovës e që tash mbahen peng në Gjykatën Speciale në Hagë, që nga mënyra e arrestimit, sjellja ndaj dëshmitarëve të mbrojtur dhe të pambrojtur, mospërkthimi i materialeve në gjuhën shqipe apo përkthimi selektiv, moslejimi i vizitave familjare dhe vizitave monitoruese, trajtimi i padinjitetshëm i avokatëve mbrojtës nga Kosova, mospajisja me viza hyrëse për familjarë të të arrestuarve dhe shumë shkelje tjera që janë identifikuar nga KMDLNj.
Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trandafilova në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut është vizitë politike që e legjitimon ndarjen e Kosovës duke krijuar dy kryeqytete; Prishtinën për pjesën jashtë orbitës politike të Beogradit dhe Mitrovicën e Veriut, si pjesë e territorit të Kosovës që nominalisht është pjesë e Kosovës ndërsa realisht administrohet nga Beogradi. Po kjo ndarje është edhe në sistemin e Drejtësisë për faktin se Gjykata e Apelit është në Prishtinë dhe një Departament i kësaj Gjykate e që kryen punët e Gjykatës së Apelit është në Mitrovicën e Veriut.
Dhomat e Specializuara, përkatësisht Gjykata Speciale në Hagë konsiderohet e Kosovës vetëm se është votuar në Kuvendin e Kosovës. Votimi është bërë në kushte të frikësimit të deputetëve, shantazhimit dhe kërcënimit. Pas kësaj, me marrëveshje të imponuara e sidomos me aneks të marrëveshjes, i tërë sovraniteti i është bartur Gjykatës Speciale në Hagë dhe aktualisht Gjykata Speciale e Hagës është e Kosovës po aq sa është edhe e Bangladeshit.
Ekaterina Trandafilova e thotë të pavërtetën në përpjekje për ta arsyetuar vizitën e saj në Mitrovicën e Veriut kur deklaron se ata me të cilët u takua, për shkak të rrezikut dhe sigurisë nuk mund të vijnë në Prishtinë. E vërteta është se serbët sot të Kosovë nuk janë të rrezikuar nga askush dhe se ndonëse janë pakicë numerike në aspektin politik janë shumicë sepse e kanë të drejtën e vetos që ua garanton 2/3 e domosdoshme për ndryshim të ligjeve apo Kushtetutës dhe vendimeve tjera.
Tash kryetarja e Gjykatës Speciale përpiqet të distancohet nga raporti i Dik Martit duke deklaruar se ai raport nuk ishte i kompletuar ndonëse u përdorë si armë e fuqishme për formimin e Gjykatës Speciale duke e bombarduar opinionin ndërkombëtarë me “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikim me organe njerëzore. Rrjedhjen e dosjeve të ndjeshme, kryetarja e Gjykatës Speciale e relativizon duke i marrë në mbrojtje vartësit e saj ndonëse këto dosje; ose janë shitur për para të majme ose janë përdorur si përshpejtues të arrestimit të udhëheqësve të OVL të UÇK-së, si pretekst për arrestimet tjera. Nuk ka logjikë që materialet e ndjeshme të rrjedhin nga Gjykata Speciale e që të mos ketë përgjegjësi për askënd nga kjo Gjykatë kurse, në anën tjetër arrestohen drejtuesit e OVL të UÇK-së si dhe hapen shumë raste të hetimeve për pengim të drejtësisë kundër personaliteteve politike etj.
Pohimi se kjo gjykatë nuk funksionon në baza etnike është një e pavërtetë e madhe për faktin se stafi i Gjykatës Speciale, nga niveli më i ulët e deri te ai më i lartë 100 për qind është ndërkombëtarë kurse të arrestuarit janë 100 për qind shqiptarë, shtetas të Kosovës. Së paku deri më tani. Nga aspekti i të drejtave të njeriut është puro raciste.
Ministria e Drejtësisë përmes Zyrës për Mbështetje deri më tani i ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga Ligji, si për të arrestuarit, mbrojtjen e tyre, familjarët dhe të tjerët. Së fundi, ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu ka deklaruar se në fund të shtatorit përfaqësues të kësaj Ministrie do t’i vizitojnë të arrestuarit e Gjykatës Speciale në Hagë, shtetas të Kosovës e që KMDLNj mendon se është përgjegjësi e shtetit të Kosovës. Sipas praktikave ndërkombëtare, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Holandë është dashur t’i vizitojnë rregullisht të arrestuarit nga Gjykata Speciale dhe të informohen për nevojat e tyre, të familjeve të tyre dhe të mbrojtësve. Gjykata Speciale i ka dhënë ekskluzivitet për monitorim vetëm një organizate ndërkombëtare ndonëse qenka e pjesë e sistemit juridik të Kosovës.
Përveç shkeljeve të të drejtave të personave të privuar nga liria e që KMDLNj i ka evidentuar përmes takimeve me familjarë, dëshmitarë të mbrojtur dhe të pambrojtur, mbrojtës të viktimave dhe mbrojtës të të akuzuarve dhe duke përcjell seancat dëgjimore dhe të tjera KMDLNj vlerëson se të arrestuarit e që mund të dënohen janë të privuar nga e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasbur, si autoritet më i lartë dhe përfundimtarë i interpretimit të të drejtave të njeriut. Në rrethanat aktuale, gjykimet, ankesat, parashtresat dhe kërkesat do të sillen dhe pështillen brenda një qarku të mbyllur e quajtur Gjykata Speciale, që përbëhet nga hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të dështuar dhe të korruptuar të UNMIK-ut, EULEX-it e të mbështjell me një cipë të tejdukshme ku figura e Ekaterinë Trandafilovës del krejtësisht e lakuriquar sa i përket objektivitetit, paanësisë dhe garantuesit për një gjykim të drejtë dhe fer.
Deklarata e Ekatarina Trandafilovës se betohet në “hirin e nënës së vdekur” se nuk është e ndikuar politikisht i përngjanë situatës kur një llapjan bënë be “Pasha Kuranin” e që nënkupton se është një mashtrim ordiner. Ekaterina Trandafilova thirret në legjislacionin modern të BE-së, përkatësisht në standardet më të larta të saj ndërsa arsyetimin për mosndikim të politikës e ndërton mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, saktësisht duke bërë “be dhe rrufe” në hirin e nënës së vdekur duke ngatërruar faktet materiale me gjendjen emocionale.
KMDLNj e konsideron pozitive vizitën e Ministres së Drejtësisë vetëm në rastin kur:
– Të akuzuarve nga Gjykata Speciale do t’iu garantohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm;
– Vetëm nëse Ambasada e Kosovës në Holandë do t’i vizitojë të paraburgosurit në baza të rregullta;
– Nëse familjarët e të paraburgosurve do të gëzojnë përkrahje që ia siguron ligji;
– Nëse nuk do të ketë pengesa logjistike për familjarë siç ishte mospajisja me viza;
– Nëse siguron trajtim të dinjitetshëm të avokatësve mbrojtës nga Kosova siç janë pajisja afatgjatë me viza, nivelizimi i kompensimit për punën që bëjnë, pajisja me pasaporta zyrtare dhe viza hyrëse për aq kohë sa janë mbrojtës të të arrestuarve nga kjo Gjykatë si dhe t’iu sigurohet qasja e papenguar në dokumentacionin e Gjykatës e që paraqesin rëndësi për përgatitjen e mbrojtjes.
KMDLNj, për më tepër se 2 vite është angazhuar dhe ka monitoruar gjendjen e të drejtave të njeriut të të arrestuarve nga Gjykata Speciale, të shtetasve të Kosovës që janë arrestuar apo janë në vuajtje të dënimit në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut përmes takimeve me viktima, dëshmitarë të mbrojtur dhe të pambrojtur, familjarë, avokatë mbrojtës të viktimave dhe të të arrestuarve gjatë vizitave monitoruese, takim me zyrtarë korrektues dhe ministra të ministrive përkatëse si dhe komunikimit, për shkak të kufizimeve pandemike, me mjete elektronike. Deri më tani për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19 kanë qenë të pamundura vizitat në Qendrën e Paraburgimit në Hagë ndonëse të arrestuarit e mirëpresin vizitën e KMDLNj-së. Deri atëherë KMDLNj do të vazhdojë të merret me aktivitetet që ndërlidhen me të arrestuarit nga Gjykata Speciale si edhe të ofrojë ndihmë për viktimat dhe familjet e tyre, të arrestuarit dhe familjet e tyre si dhe mbrojtësit dhe akterët tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Neymari ka kërkuar respekt nga shokët e tij brazilianë pasi…