Zgjedhjet lokale duhet të mbahen, duke respektuar masat anti-Covid

13 shtator 2021 | 15:50

Demokracia në Veprim ka vlerësuar se zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të mbahen brenda afateve të përcaktuara.

Përmes një komunikate për medie, DnV-ja ka treguar se zgjedhjet duhet të mbahen duke respektuar masat në fuqi për parandalimin e shpërndarjes së Covid-19. “Zgjedhjet e rregullta lokale janë shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani, për datën 17 tetor të këtij viti, duke u bërë kështu procesi i tretë zgjedhor që Kosova organizon në periudhën e pandemisë COVID-19. Për sot është paralajmëruar mbajtja e një takimi konsultativ mes subjekteve politike dhe Presidentes Osmani, për të diskutuar rekomandimin e IKSHPK-së, i cili kërkon shtyrjen e procesit zgjedhor. Ndonëse situata aktuale është e përkeqësuar, Demokracia në Veprim konsideron se zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të mbahen brenda afateve të përcaktuara, por në respektim dhe përputhje me masat në fuqi për parandalimin e shpërndarjes së virusit dhe protokolleve tjera në fuqi”, është thënë në komunikatën për medie.

Sipas DnV-së, mbajtja e këtyre zgjedhjeve është e një rëndësie të veçantë edhe sa i përket mandatit katër-vjeçar që u është dhënë institucioneve të nivelit lokal. “Organizimi i këtyre zgjedhjeve do t’u mundësojë qytetarëve ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e nivelit lokal, që përbën një prej parimeve bazë të funksionimit demokratik të një shteti. Duke qenë se këto zgjedhje janë të rregullta në kuptimin periodik, mbajtja e këtyre zgjedhjeve është e një rëndësie të veçantë edhe sa i përket mandatit katër-vjeçar që u është dhënë institucioneve të nivelit lokal, mandat ky i cili sipas legjislacionit në fuqi mbaron në fund të muajit tetor. Çështja e mandatit të institucioneve të nivelit ngërthen në vete edhe aspektin e legjitimitetit të tyre, që do të cenohej në rast të shtyrjes së zgjedhjeve”, është thënë në komunikatë, duke shtuar se Kosova tashmë ka krijuar një përvojë të konsoliduar për organizimin e zgjedhjeve në kohë pandemie.

“Demokracia në Veprim kërkon që institucionet relevante, por edhe vet subjektet politike, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e një procesi zgjedhor të sigurt shëndetësor. Mes tjerash kjo nënkupton respektimin e masave për numrin e lejuar të qytetarëve në tubime, respektimin e masave si maska dhe distanca, si dhe masave tjera specifike që ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor. Po ashtu, institucionet shëndetësore do të duhej që deri në fillimin e procesit zgjedhor të përditësojnë manualet përkatëse për organizimin e zgjedhjeve, duke marrë në konsideratë mësimet e nxjerra nga organizimi i dy palë zgjedhjeve më parë”, ka vlerësuar DnV-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Infektologu i njohur, Ilir Tolaj, është shprehur sot se situata…