Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin Kosnett

13 shtator 2021 | 17:45

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përshëndetës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett.

Duke e falënderuar për punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë, presidentja Osmani ka pohuar se puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-ve.

Sipas njoftimit të Presidencës, palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett ka shprehur mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fort dhe i pakontestueshëm.

“Në takim palët vlerësuan lartë edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike. Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i institucioneve kosovare për mikëpritjen e qytetarëve afgan, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit. Në shenjë të mirënjohjes së thellë, Presidentja Osmani e dekoroi ambasadorin Kosnett me urdhrin ‘Dr. Ibrahim Rugova’, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend”, ka njoftuar Presidenca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar sot listën përfundimtare të…