Erjona Rama, kandidate e Nismës për asamblenë komunale në Gjakovë
Profesoresha Erjona Rama është kandidate e Nismës Socialdemokrate për në asamblenë komunale në Gjakovë. Ajo mban numrin 3 në listën e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Erjona ka të kryer Fakultetin e Shkencave Politike, dega Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit Shtetëror të Perugias (Itali), në të cilin i kreu dhe studimet pasuniversitare.
Thirrjen magjistër të shkencave në “Politikën e Jashtme dhe sistemet ndërkombëtare” e mori në vitin 2010.
Studimet e disertacionit të doktoratës i ka paraqitur në Universitetin Europian të Tiranës.
Në periudhën e viteve 2004-2005 ka punuar si koordinatore pranë Zyrës së migracionit CIDIS-ONLUS, në Perugia në Itali. Pastaj në Bibliotekën e studimeve historike, sociologjike dhe politike po ashtu në Perugia.
Aktualisht është ligjëruese në Kolegjin “BIZNESI”.
Gjithashtu ka botuar edhe disa punime shkencore dhe profesionale.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Erjona Rama është shembull model i punës, angazhimit dhe profesionalizmit.
“Qytetarët e Gjakovës e kanë shansin më 17 tetor t’i japin mbështetje një gruaje që parime për qeverisjen komunale ka; transparencën dhe llogaridhënien”, ka shkruar Hoxha.