![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/08/B4BB9202-D006-4750-A224-1AFA2B996498.jpeg)
Ndalohen katër persona për keqpërdorim të detyrës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se pas veprimeve të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës, janë ndaluar katër persona për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPK-së, si dhe veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323, “Legalizimi i përmbajtjes së rremë nga neni 395, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 i KPK-së.
Prokuroria njofton se njëri nga katër të ndaluarit me inicialet S.V. është me profesion noter, si dhe është ndaluar për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPK-së.
Ndërkaq, tre personat tjerë me inicialet S.B., M.D. dhe J.Zh., janë ndaluar për veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323, “Legalizimi i përmbajtjes së rremë” nga neni 395, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 i KPK-së.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit të katër personave të ndaluar, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat e lartcekura.