Shteti i Iowas konfirmon mbështetjen për bujqësinë e Kosovës

22 shtator 2021 | 17:08

Shteti i Iowas do ta vazhdojë mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë përmes formave konkrete të bashkëpunimit me qëllim të avancimit të këtij sektori sipas praktikave bujqësore të Iowas.

Kjo përkrahje iu konfirmua ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në takimin që e zhvilloi me sekretarin e Shtetit të Iowas, Paul Pate, ku u diskutua për mundësitë e krijimit të partneriteteve dhe investimeve të reja mes të dy shteteve.

Gjatë këtij takimi ministri Peci ka paraqitur para sekretarit të Iowas zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në Kosovë si dhe e ka njoftuar atë se bujqësia mbetet ndër potencialet kryesore për zhvillim ekonomik.

Me këtë rast, Peci e ka njoftuar atë se gjatë këtij mandati do të angazhohen që përmes mekanizmave shtetërorë, avancimit të legjislacionit aktual, si dhe politikave zhvillimore, të krijojnë kushte më të favorshme për avancimin e veprimtarive bujqësore, si një veprimtari e cila mund të sjellë të ardhura dhe përmirësim të bilancit tregtar.

Duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë shteti i Iowas për Kosovën, ai e njoftoi atë edhe me sektorët më me potencial në vend duke shqyrtuar kështu mundësitë e investimit në Kosovë, specifikisht në sektorin e produkteve dhe nënprodukteve bujqësore si qumështi, mishi, perimet, frutat e imta, bimët mjekësore dhe aromatike dhe jo vetëm.

Ministri Peci ka marrë konfirmimin e sekretarit Pate për të iniciuar projekte të reja të përbashkëta bujqësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (APN) “Adem Jashari” - Limak Kosovo…