Macroni e kthen ambasadorin në ShBA pas telefonatës me Bidenin

23 shtator 2021 | 14:06

Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Francës të mërkurën kanë bërë një hap drejt përmirësimit të raporteve pas mosmarrëveshjes për paktin e ShBA-së me Australinë.

Franca është pajtuar ta kthejë ambasadorin e vet në Uashington, ndërsa Shtetet e Bashkuara pranuan se kanë gabuar që nënshkruan marrëveshje me Australinë për t’i shitur nëndetëse me energji bërthamore pa u konsultuar me Parisin.

Përmes një deklarate të publikuar pas bisedës telefonike 30-minutëshe mes presidentëve Joe Biden e Emmanuel Macron, dy udhëheqësit janë njoftuar dhe pajtuar për të nisur diskutime të thella për rindërtimin e besimit dhe për t’u takuar në Evropë në fund të tetorit, shkruan “Reuters”.

Në deklaratë është thënë se Shtetet e Bashkuara është zotuar për ta rritur përkrahjen për operacionet kundër terrorizmit në Afrikë, të cilat kryhen nga shtetet evropiane.

Telefonata e Bidenit me Macronin ishte përpjekje për t’i ulur tensionet, pasi Franca i akuzoi Shtetet e Bashkuara për thikë pas shpine, kur Australia e ka anuluar marrëveshjen 40-miliardëshe për blerjen e nëndetëseve franceze, duke zgjedhur nëndetëset amerikane.

E zemëruar me paktin e befasishëm mes Shteteve të Bashkuara, Australisë e Britanisë së Madhe, Franca para disa ditëve i tërhoqi ambasadorët e vet nga Uashingtoni dhe Canberra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nasuf Popova shpall te pavlefshem çertifikaten e leshuar nga QAP…