![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/09/svecla-2.jpg)
Sveçla takohet me homologun shqiptar, zotohen për zbatimin e 20 marrëveshjeve të përbashkëta
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi.
Sveçla ka uruar Çuçin për detyrën si dhe për mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave pas konstituimit të institucioneve, duke e falënderuar atë për nënshkrimin e dy marrëveshjeve: marrëveshjen e trafikut lokal të kufirit si dhe për marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës).
Më tutje, Sveçla ka theksuar se bashkëpunimi i dy vendeve do të thellohet në shumë dimensione dhe në dobi të qytetarëve nga të dy anët e kufijve.
Ministri Sveçla ka deklaruar se qëndrojnë të bashkuar si gjithmonë, si në paqe ashtu edhe në sfida të përbashkëta.
Gjithashtu, ministri Sveçla, ka theksuar se ministritë e brendshme të të dy shteteve tona kanë më shumë se 20 marrëveshje të cilat padyshim kanë qëllim lehtësimin e jetesës dhe zhvillimin e veprimtarisë së shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Të dy ministrat janë zotuar se ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen ndërmjet dy policive të shteteve tona në fushën e sigurisë publike, luftimin e krimit dhe të korrupsionit.