Pas ankesave të konsumatorëve, Inspektorati i Tregut padit IPKO-n

28 shtator 2021 | 16:50

Inspektorët e Inspektoratit të Tregut në Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë muajit shtator 2021 kanë pranuar mbi 180 ankesa të konsumatorëve, të cilët janë ankuar lidhur me shërbimet e telekomunikimit kabllor të ofruar nga një operator ekonomik.

Në një komunikatë të lëshuar për media, MINT- theksoi se, “duke u bazuar në nenin 9, paragrafin 1, pika 1.3,  të Ligjit nr. 03/L-181 për Inspektoratin dhe mbikëqyrjen e Tregut, inspektorët e tregut kanë realizuar inspektim tek operatori ekonomik, ku kanë analizuar dokumentacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik, ankesat e konsumatorëve, provat materiale dhe në bazë të këtyre dëshmive ka rezultuar se operatori ekonomik ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve.

Në bazë të Ligjit nr. 06/L034 për Mbrojtjen e Konsumatorëve,  konkretisht të neneve13, 71, 72 dhe 73, operatori ekonomik ka bërë shkelje, si:

Ka bërë reklamë mashtruese për klientët/konsumatorët duke promovuar shërbime të cilat nuk i ofron ose ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojë;

Pa paralajmërim dhe pa asnjë njoftim paraprak ka ndërprerë transmetimin e disa kanaleve gjë që ka shtyrë një numër të madh të konsumatorëve që të ushtrojnë ankesë me pretendimin se janë mashtruar.

Ka vendosur kushte të padrejta në kontratë duke e kushtëzuar klientin/ konsumatorin që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, klienti/ konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur, edhe pse i njëjti nuk ka mundësi të shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën.

Inspektorati i Tregut, me datën 23.09.2021, ka iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për operatorin ekonomik dhe pritet që kjo lëndë të trajtohet me prioritet dhe konform dispozitave ligjore në fuqi.

MINT dhe Inspektorati i Tregut janë të përkushtuar përherë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për siguri në treg.

Indeksonline ka siguruar dokumentin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ku MINT-i është ankuadr kundër operatorit ekonomik “Ipko Telecommunications” L.L.C sh.p.k.”.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Kushtrim Dakaj, këshilltari për Inspektorate i ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (Inspektorati i Tregut) do të jetë gjithmonë afër konsumatorëve për çdo gjë që do t’ju bëhet e padrejtë e që është në kompetencën tonë. Mbrojtja për ju do të jetë obligim për ne”, ka shkruar ai në “Facebook”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
29.09.2021 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…