Projekti amerikan për gasin, Haradinaj kërkon nga Kurti të distancohet nga Bislimi

28 shtator 2021 | 17:06

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se të martën ia ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurtit, në të cilët ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me projektit amerikan të gazit.

Në letrën e tij, Haradinaj  ka thënë se politizimi dhe njollosja e projektit të gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për Kosovën dhe partneritetin me ShBA-në.

Po ashtu në këtë letër, Haradinaj ka kërkuar nga Kurti që të distancohet nga deklaratat e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në lidhje me këtë projekt.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e etiketoi dhe e përshkroi projektin e gazit si një projekt rus, mohoi vendimet e qeverive të mëparshme dhe dezinformoi publikun me shumë të pavërteta të dëmshme. Nga ju kryeministër pres distancim publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundërtën e vlerësoj që qëndrimet e zëvendëskryeministrit dhe të kryeministrit janë në pajtueshmëri të plotë. Prandaj, në këto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideroj si të panevojshëm”, ka shkruar Haradinaj në letrën drejtuar Kurtit, të cilën e ka publikuar edhe në llogarinë e vet në “Facebook”.

Letra e plotë e Haradinajt:

Politizimi dhe njollosja e projektit të gazit është skandaloz, po rrezikohet projekti më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik për Kosovën

(Letra që sot i kam dërguar kryeministrit Kurti)

I nderuar Kryeministër Kurti,

Në maj të vitit 2019, Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga unë si Kryeministër i vendit, miratoi propozimin për të përfituar nga granti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt. Si rezultat, ne krijuam dhe mbështetëm një ekip ekspertësh vendor dhe me ç’rast nënshkrova marrëveshjen e Fondit të Zhvillimit Kompakt (CDF).

Si rezultat, programi Kompakt u zhvillua në koordinim të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjencisë MCC dhe politikat e Qeverisë Amerikane, dhe pas shumë konsultimeve me të gjithë akterët në sektorin e energjisë, u identifikuan projekte brenda programit për mbështetje për të cilat janë kryer studime të para-fizibilitetit, siç janë:

Zhvillimi i sektorit të gazit -Diversifikimi i sektorit të energjisë;

Balancimi i sistemit të gjenerimit përmes krijimit të rezervave të energjisë për rrjetin e transmisionit;

Fuqizimi i sektorit të energjisë.

Tani, konsideroj se zhvillimet që kanë pasuar me Qeverinë Kurti, politizimi dhe njollosja e projektit të gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për vendin si dhe partneritetin me ShBA-në.

Zëvendëskryeministri Bislimi e etiketoi dhe e përshkroi projektin e gazit si një projekt rus, mohoi vendimet e qeverive të mëparshme dhe dezinformoi publikun me shumë të pavërteta të dëmshme.

Nga ju kryeministër pres distancim publik dhe thirrje në përgjegjësi të zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundërtën e vlerësoj që qëndrimet e zëvendëskryeministrit dhe të kryeministrit janë në pajtueshmëri të plotë. Prandaj, në këto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideroj si të panevojshëm.

Për më tepër, ne presim që qeveria të marrë vendimet e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e projektit të Kompaktit bazuar në studimet e kryera deri më tani nga të gjithë aktorët e përfshirë.

Rekomandimet tona janë si më poshtë:

Projekti për zhvillimin e sektorit të gazit të mbështetet nga qeveria dhe të integrohet në planifikime strategjike.

Revidimi i strategjisë së energjisë të mos vonohet dhe të integroj në vetvete zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe kapaciteteve gjeneruese.

Përveç mbështetjes së Kompaktit për këtë projekt, Qeveria e Kosovës duhet të përkushtohet në avancimin e negociatave me BERZh-in dhe BE-në për të siguruar financimin e projektit të gazit.

Qeveria e Kosovës të fillon krijimin e kushteve për krijimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).

Të mbështetet studimet e mëtejshme për komponentën e prodhimit të gazit në energji për të adresuar nevojat për rezerva dytësore dhe terciare për të balancuar sistemin e rrjetit të transmisionit.

Jam gjithashtu në dijeni që zbatimi i projekteve me interes strategjik për vendin kërkon kohë dhe qasje në financa, prandaj presim që studimet shtesë që janë duke u zhvilluar të ndihmojnë në matjen e këtyre kërkesave.

Në fund, mbështes përpilimin e programit kompakt siç rekomandohet në studimin e para-fizibilitetit dhe shpresoj se rezultatet e fizibilitetit do të vlerësojnë kushtet e tranzicionit të prodhimit të energjisë në Kosovë, nga thëngjilli në gaz, dhe potencialisht në burime të tjera që janë më miqësore për mjedisin.

Sinqerisht,

Ramush Haradinaj

Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endriti, i është…