Kurti zbulon propozimin e KFOR-it për veriun: Shpresoj që zgjidhja të gjendet sot në Bruksel

29 shtator 2021 | 12:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me takimin e sotëm në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq për ta gjetur një zgjidhje për çështjen e bllokimit të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kurti ka thënë se shpreson se në Bruksel do të gjendet zgjidhja.

Më tutje, ai ka treguar propozimin që e ka marrë të hënën nga komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Franco Federici. Ai ka thënë se i është propozuar që të hiqen barrikadat dhe pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të zëvendësoheshin nga anëtarë të KFOR-it.

“Me sa jam në dijeni, zëvendëskryeministri ynë, Besnik Bislimi do të zhvillojë takime të ndara me emisarin Miroslav Lajçak, dhe më pas mbase do të ketë takim me homologun e tij nga Serbia në këtë takim. Unë uroj e shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë tonë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi te unë komandanti i KFOR-it, i cili pak a shumë e dha një propozim, që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave dhe zëvendësimin e njësive speciale deri në një qetësim të situatës nga pjesëtarët e NATO-s apo KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak apo Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Ne në parim e kemi pranuar këtë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se propozimi i njëjtë është refuzuar nga Serbia.

“Në dakordimin që e kemi dhënë, ne jemi konsultuar paraprakisht, unë dhe ministri Sveçla, me Policinë e Kosovës. Ne kemi qenë dakord, mirëpo Serbia e ka refuzuar këtë. Javën e kaluar, Serbia e ka refuzuar takimin në Bruksel, ndërsa këtë javë propozimin e KFOR-it”, ka thënë kryeministri gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak,…