Krasniqi: Më 17 tetor, llapjanët do ta votojnë Floretë Zejnullahun

30 shtator 2021 | 16:04

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka qëndruar të enjten në Komunën e Podujevës.

Krasniqi, i shoqëruar nga kandidatja për kryetare të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Floretë Zejnullahu, ka takuar strukturat partiake.

Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se më 17 tetor, llapjanët do të votojnë për ndryshim.

“Më 17 tetor, llapjanët do të votojnë për ndryshim, për ndryshimin që do ta sjellë Floreta bashkë me qytetarët në katër vitet e ardhshme, për t’i dhënë Podujevës qeverisjen që e meriton”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Komuna e Podujevës, që nga paslufta nuk ka qenë kurrë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, sepse është qeverisur nga burra pa parime që prioritet i kanë pasur interesat personale e partiake.

Partia Demokratike e Kosovës është tejet e vendosur që të sjellë ndryshim në Podujevë.

Këtë ndryshim e kemi filluar duke e kandiduar për Kryetare të Komunës Floretë Zejnullahun, një kandidate e re në moshë, por me pjekuri e maturi politike të dëshmuar si deputete e Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura dhe si asambliste e zëshme në Kuvendin Komunal të Podujevës. Floreta do t’i ofrojë Podujevës dhe qytetarëve të saj, pa dallim, një qeverisje transformuese, të përgjegjshme, të ndershme e të dinjitetshme.

Më 17 tetor, llapjanët do të votojnë për ndryshim, për ndryshimin që do ta sjellë Floreta bashkë me qytetarët në katër vitet e ardhshme, për t’i dhënë Podujevës qeverisjen që e meriton.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar marrëveshjen…