1 tetor 1997

01 tetor 2021 | 18:45

Nga Driton Lajçi

Viti 1997, vit historik për popullin e Kosovës, vit në të cilin ndryshoi gjithçka në Kosovë dhe rreth Kosovës, dhe i dha udhë realizimit të lirisë së saj. 1 Tetori 1997 sigurisht që do të mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, i kthesës së madhe, përfaqësuar nga një grup studentësh të cilët brenda një kohe të shkurtër arritën të sensibilizonin opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar, duke u bërë edhe faktor i rëndësishëm politik.

Sa herë që dilnim në protesta nuk ishte e sigurt se a do të ktheheshim të gjallë. Pas përfundimit të protestës së 30 Dhjetorit 1997 u kthyem në Rektorat, rektori Ejup ishte duke na pritur (atë dite nuk erdhi me ne se e kishte lodh sëmundja e keqe). Posa na pa, tha: “A u kthyet të gjithë?”, dhe e mashtruan lotët. Kurrë nuk kisha besuar se do ta shihja Ejup Statovcin duke qarë, ai nuk ishte ligur përballë forcave serbe, përballë shantazheve, sabotazheve e kurtheve nga brenda e jashtë që i bëheshin për çdo ditë. Por, derdhi lot për bijtë e vet, për studentët, rininë e Kosovës. Duke i fshirë lotët tha: “Megjithatë, unë kam punuar diçka, nuk kam ndenjur kot. E kam bërë një draft të komunikatës të cilën do ta diskutojmë bashkë me Këshillin Organizativ”. Dhe kjo gjendje kaq emocionuese, e hapur, e sinqertë, tregon për raportet që ishin krijuar mes nesh dhe rektorit, mes nesh dhe profesorëve universitarë, mes nesh dhe popullit të Kosovës. Ishin këto raporte historike për një mision historik.

Ato vite të Universitetit janë vite të Kosovës, nuk janë tonat, janë sakrificë e Universitetit, e Universiteti është mishërimi i këtij populli. Na dëbuan, por ishte populli që hapi dyert për studime në shtëpi private. Prej aty, prej gjirit të Universitetit u nisën hapat e mbarë për kombin. Brez pas brezi. Gjatë këtyre viteve Universiteti i Prishtinës udhëhiqej nga rektori Ejup Statovci, (një periudhë nga rektori Zejnel Kelmendi). Deri më tani prof.dr.Ejup Statovcit nuk i është dhënë vlerësimi i merituar nga institucionet publike, madje as nga Universiteti i Prishtinës e as nga Fakulteti Juridik. Jo për hatër, por për merita të jashtëzakonshme.

Përfundimisht, këmisha e bardhë e 1 Tetorit 1997 do të mbetet simbol i rezistencës dhe sakrificës për të jetuar në paqe, liri, arsimim cilësorë, perspektivë dhe jetë të begatë për rininë studentore. Urime 1 tetori i viti 1997!

(Autori ka qenë nënkryetar i Unionit të Pavarur të Studenteve të Universiteti të Prishtinës & Anëtarë i Këshillit Organizativ të Protestave Studentore).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së sotme, në zyret qëndrore të KRU ”Prishtina”…