“Ky u ka ra djemve, ky m’i ka vra krejt”, rrëfimi i 85-vjeçares për masakrën e Sllovisë për të cilën u dënua Stanishiqi

05 tetor 2021 | 16:54

Goran Stanishiq është dënuar të martën me 20 vjet burgim, për vrasjen e 13 civilëve në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Pas dënimit të tij, një 85-vjeçare nga ky fshat, ka rrëfyer dhimbjen për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes.

85-vjeçarja Zejnepe Gashi ka folur për përjetimin e rëndë në ditën kritike të prillit të vitit 1999 dhe krimin që e kishte kryer fqinji i tyre serb bashkë me disa persona të tjerë.

“Kapixhikit i ka ra, ai ka qenë mbyll. Hyni në oborr, ky sefte me këta tjerët. Krejt të Sllovisë janë kanë. Atyre tjerëve krejt nuk ua di emrat bash saktë. Por ky i ka rendit krejt. Ky ju ka ra djemve, nipave, ky mi ka vra krejt”, ka thënë Gashi për “RTV Dukagjin”-in.

Ajo ka thënë se pas vrasjes së familjarëve e kanë dëbuar nga fshati, ndërsa është kthyer të nesërmen prapë.

“Të nesërmen jam kthy vetëm unë. I kam kërkuar ku i kam djemtë e nipat, ku i keni dërguar? Më thanë: ‘I kemi mbyt krejt, këtu nuk ke derë më’. Pas 14 ditëve kam marrë vesh që i kanë dërguar nalt e i kanë varros”, ka rrëfyer ajo.

Shtëpia e viktimave dhe të dënuarit Stnaishiq i ndante vetëm një rrugë.

Gashi ka thënë se nuk kanë pasur raporte të këqija me serbët që jetonin aty, por pas fillimit të luftës gjithçka ndryshoi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore Publike e Tetovës publikoi të martën raportin për…