Samiti në Bërdo: BE-ja dhe Ballkani Perëndimor dalin me komunikatë për media

06 tetor 2021 | 15:04

Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe liderët e Bashkimit Evropian kanë dalë më një deklaratë të përbashkët, pas samitit që është mbajtur sot në Bërdo të Sllovenisë.

Deklarata përbëhet nga disa pika dhe në të gjashtën, përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd- Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dyja Palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis tyre, i cili është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që ata të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në këtë pikë.

Të gjitha pikat e kësaj deklarate mund t’i lexoni duke klikuar KËTU.

Kosova në këtë samit është përfaqësuar nga kryeministrit Albin Kurti dhe ministrat Donika Gërvalla e Hekuran Murati.

Në prag të nisjes së samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë kaluar më shumë se tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomenduar për të dytën herë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë. Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”, ka thënë ai në prag të nisjes së samitit që do të mbahet në Bërdo.

Sa u përket vendeve mosnjohëse, ai ka thënë se shpreson që ato vende shumë shpejt t’iu bashkohen vendeve tjera që e njohësinë shtetësinë e Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se gjatë 24 orëve…