Rivarrosën nëntë martirët e masakrës së Rezallës

09 tetor 2021 | 19:37

Sot 22 vite pas luftës, me një ceremoni ushtarake, me prezencë të qindra qytetarëve, u rivarrosën nëntë martirët e masakrës së Rezallës.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se këta martirë nga sot pushojnë të qetë në tokën për të cilën dhanë më të shtrenjtën jetë, për t’i bërë roje vendit dhe historisë sonë të lavdishme.

Ai ka theksuar se këto masakra, këta arkivole dhe këto komplekse memoriale janë arkiva e cila argumenton vazhdimisht dhe në çdo kohë se kush ishin kriminelët dhe vrasësit, në këtë luftë të pabarabartë dhe të imponuar.

“Sot Kosova jonë, fëmijët dhe të rinjtë jetojnë të lirë, ëndërrojnë e punojnë falë gjakut të derdhur të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, të cilët i dolën zot atdheut dhe me gjakun e tyre u bënë themel i lirisë dhe Pavarësisë që sot e gëzojmë”, ka deklaruar ai.

Kryetari Jashari ka theksuar se të rënët në altarin e lirisë sollën lirinë e pavarësinë. “Ne jetësojmë amanetin e tyre vetëm duke zhvilluar shtetin”, ka thënë ai.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit për viktimat e masakrës së Rezallës, eshtrat e të cilëve ishin gjetur në varreza masive në Kizhevak dhe Rudnicë të Serbisë.

 

Ai ka deklaruar se janë bashkë për të nderuar sot dëshmorët e martirët e Kosovës, e për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.

Sot në këtë ceremoni kryetari Jashari ka nderuar me mirënjohje Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe prof. dr. Arsim Gërxhaliu, drejtor për shumë vite i këtij instituti, për kontributin e jashtëzakonshëm, dhënë në identifikimin e mbetjeve mortore të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, të rënë në luftën e fundit çlirimtare 1998-1999, me theks të veçantë në rivarrimin e dëshmorëve nga Polaci dhe fshatrat tjera, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj…