Partitë politike nuk i respektojnë masat kundër Covidit

12 tetor 2021 | 13:29

Subjektet politike nuk janë duke i respektuar masat kundër Covidit gjatë fushatës zgjedhore. Kështu kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” monitoruesit e fushatës zgjedhore. Ata kanë ftuar subjektet politike që t’i respektojnë masat që parandalojnë përhapjen e pandemisë Covid-19, duke vlerësuar se mbi çdo garë apo kauzë politike duhet të qëndrojnë jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Pavarësisht prej shkeljeve të këtyre masave, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUVK) nuk ka shqiptuar asnjë dënim për partitë gjatë fushatës. IKShPK-ja ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave mund të ndikojë në rritjen e rasteve me Covid

Muhamet KOCI

Monitoruesit e fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë vlerësuar se partitë politike nuk janë duke i respektuar masat kundër Covidit gjatë aktiviteteve të tyre elektorale. Ata kanë ftuar institucionet përgjegjëse që ta sanksionojnë secilin subjekt politik që nuk i respekton masat në fuqi.

Allen Meta nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), ka thënë se gjatë monitorimit të kësaj fushate janë vërejtur parregullsi në respektimin e masave në fuqi. “Që nga fillimi i fushatës zgjedhore Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka qenë i angazhuar për monitorimin e fushatës zgjedhore. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, D4D fokus të veçantë i ka dhënë fushatës zgjedhore e cila po bëhet në rrjete sociale, duke e monitoruar me vëmendje diskursin i cili përdoret nga partitë politike në rrjetet e tyre sociale. Pashmangshmërisht gjatë kësaj fushate kemi ndjekur me vëmendje edhe mbajtjen e aktiviteteve dhe tubimeve të ndryshme, ku në raste të ndryshme kemi vërejtur edhe parregullsi dhe shkelje të masave kundër Covidit, mirëpo kjo pastaj bie nën kompetencën e institucioneve relevante për monitorim dhe sanksionim në raste kur nuk ka respektim të masave kundër Covidit”, ka thënë Meta.

Ai ka bërë thirrje që edhe gjatë ditëve të fushatës që kanë mbetur të respektohen në përpikëri masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë. “Duke qenë se masat janë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ne bëjmë thirrje që edhe gjatë këtyre katër ditëve të mbetura të fushatës zgjedhore të bëhet respektim strikt i masave kundër Covidit. Në të njëjtën kohë bëjmë thirrje që edhe gjatë ditës së zgjedhjeve e njëjta të vazhdojë duke respektuar masat të cilat janë publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi procesin e votimit e në të njëjtën kohë edhe duke respektuar masat”, ka deklaruar Meta.

Pavarësisht prej këtyre shkeljeve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUVK) ende nuk ka shqiptuar asnjë dënim për partitë gjatë fushatës.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaçi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mbi çdo garë apo kauzë politike duhet të qëndrojnë jeta dhe shëndeti i qytetarëve. “Deri më tani nga AUV nuk ka shqiptuar një gjobë për subjektet politike. Si autoritet ligjzbatues u bëjmë apel të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që garojnë për kryetar të komunave dhe asamble komunale që gjatë gjithë kohës të kenë parasysh zbatimin e masave kundër Covidit. Mbi çdo garë apo kauzë politike qëndron jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Andaj askush nuk ka të drejtë të bëjë veprime të cilat bien në kundërshtim me ligjin dhe që rrezikojnë shëndetin publik”, ka thënë Thaçi.

Ai ka treguar se inspektorët sanitarë kanë për obligim të veprojnë në secilën shkelje të masave kundër Covidit. “Inspektorët sanitarë janë të pavarur në punën e tyre në terren dhe kanë për obligim të veprojnë në secilën shkelje që hasin. Varësisht nga lloji i shkeljes, personi që haset si shkelës në kategorinë e personit juridik ose personit individual, person përgjegjës, lartësia e gjobës është e përcaktuar me Ligjin Kundër Covidit”, ka thënë Thaçi

 

IKShPK-ja paralajmëron rritje të rasteve me Covid

Në javën e fundit të fushatës zgjedhore, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka kërkuar respektim e masave kundër Covidit.

IKShPK-ja ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave mund të ndikojë në rritjen e rasteve me Covid. “IKShPK apelon te të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19”, është thënë në njoftim e institutit.

IKShPK-ja ka bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë të vaksinohen. “Personat e pavaksinuar janë brenga jonë më e madhe. Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe më efikase në luftën kundër Covid-19”, ka vlerësuar IKShPK-ja, duke shtuar se vaksinimi është alternativa e vetme për ta ndalur përhapjen e pandemisë.

“Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturës, artit e sportit”, është thënë në njoftimin e IKShPK-së.

Për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, partitë politike kanë ndryshuar fushatën zgjedhore. Duke u fokusuar në fushata digjitale dhe takime të vogla me qytetarë, kandidatët i kanë informuar qytetarët me pikat kryesore të programeve të tyre. Por, në pjesën e fundit të fushatës zgjedhore, partitë politike kanë shtuar aktivitetet elektorale.

Në tubimet e shumë kandidatëve janë parë grupe të mëdha të qytetarëve, duke mos respektuar asnjë masë kundër Covidit.

Rrjetet sociale, sidomos platformat “Facebook” dhe “Instagram”, së bashku me debatet televizive, janë rrjetet dhe kanalet më të përdorura për publikimin e platformave politike deri më tani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të…