Policia e Kosovës: Ademi u sulmua nga pesë persona

20 tetor 2021 | 13:38

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmin ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi.

Sipas këtij njoftimi nga Policia e Kosovës kreu i FFK-së u sulmua nga pesë persona. Ademi në momentin kur ndodhi sulmi ishte i shoqëruar edhe nga një person tjetër.

Sipas policisë njëri nga të dyshuarit kishte shtënë njëherë me armë, por në vendin e ngjarjes nuk është gjetur ndonjë gëzhojë ose diçka e dyshuar.

“Dy ankuesit meshkuj kosovarë, kanë njoftuar se deri sa ishin duke ecur kanë hasur në pesë persona të dyshuar dhe janë sulmuar fizikisht nga të njëjtit. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë një herë me armë zjarri. Njësiti policor në vendin e ngjarjes kanë kryer ekzaminimin por nuk kanë gjetur ndonjë gëzhojë apo diçka tjetër të dyshuar. Njeri nga ankuesit ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Rasti duke u hetuar”.

Agim Ademi dje u sulmua në “Parkun e Gërmisë” rreth orës 8:00 të mëngjesit. Ademi deklaroi se persona që e sulmuan atë ishin të maskuar. “Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë. Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze”, ka deklaruar Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Republikës së Kosovës…