Rritet edhe çmimi i druve në Kosovë
Edhe pronarët e druve, lëndës kryesore të ngrohjes te shumica e banorëve të kryeqytetit, në këtë sezon paradimëror kanë përcjell trendet e ngritjes së çmimeve të karburanteve dhe produkteve të tjera energjetike në tregjet botërore dhe të vendit.
Drutë në Prishtinë sivjet janë duke u shitur me çmime ndjeshëm më të larta se në vitin paraprak.
Këto ditë, në veçanti janë shpërfaqur çmimet e tejngritura edhe në krahasim me muajt e verës.
Dje në tregjet e druve në Prishtinë një metër kub sipas pronarëve të druve është shitur me çmimin 50 euro e më lartë.
Ndërkohë, sipas tregtarëve, por edhe blerësve kryeqytetas, vjet në këtë kohë 1 metër dru ka shkuar 35-40 euro.
“Buletini Ekonomik” ka kontaktuar edhe sot me disa druvarë, të cilët kanë arsyetuar ngritjen e madhe të çmimeve të druve për ngrohje.
Sipas tyre, ekzistojnë disa faktorë të cilët kanë ndikuar në këtë rritje të çmimit të druve.
Ylber Selimi nga Kamenica ka thënë se çmimet e druve janë rritur në krahasim me vitet e kaluara për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, në radhë të parë.
“Ka pasur shtrenjtim të druve këtë vit pasi janë rritur edhe çmimet e shumë produkteve të ndryshme. Është rritur çmimi i naftës dhe të të gjitha karburanteve të tjera dhe kjo domosdo ka ndikuar te ngritja e çmimit të druve. Gjithashtu te çmimet e larta ka ndikuar edhe koha, ftohja e motit dhe mungesa pyjeve” ka thënë Selimi.
Edhe Naser Beqiri nga Prishtina ka pohuar se ka pasur rritje të çmimit të druve. Beqiri ka thënë se kjo rritje ka ndodhur si pasojë e ngritjes së çmimeve të naftës dhe të produkteve të tjera.
“Metra e druve aktualisht kushton 45-50 euro. Qarri edhe bungu janë më të shtrenjtë, dhe metri i tyre sillat rreth 48-50 euro”, ka thënë Beqiri.