Vazhdimi i status quos së dialogut dëmton Kosovën

22 tetor 2021 | 17:09

Përfaqësuesit e partive politike dhe monitoruesit e dialogut Kosovë – Serbi janë shprehur kundër vazhdimit të status quos të këtij procesi. Në konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës?”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ata kanë thënë se vazhdimi i status quos dëmton më së shumti Kosovën.

Në këtë konferencë është publikuar edhe hulumtimi lidhur me ndikimin e procesit të dialogut në planin e jashtëm të Kosovës.

Eugen Cakolli, hulumtues dhe autor i këtij punimi, ka vlerësuar se aktualisht procesi i dialogut ndodhet në status quo, e cila më së shumti i shkon përshtati Serbisë. “Është e paqartë periudha kohore kur eventualisht mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes palëve. Situata e tanishme nuk duhet aspak shpresëdhënëse, sidomos për Kosovën. Në njërën anë kemi në Serbi zëra gjithmonë të shtuar dhe qëndrim se asnjëherë nuk do të ketë njohje të Kosovës, ndërsa në anën tjetër në Kosovë kemi anashkalim të paktën deklarativ të kësaj teme dhe polarizim të skajshëm që ka vënë procesin e dialogut në status quo. Një status quo e tillë do të humbin të dyja palët, ndonëse është më e qartë se humbja më e madh do të ishte Kosova”, ka deklaruar ai.

Sa iu përket rreziqeve që një status quo e tillë ka në raport me shtetin e Kosovës, Cakolli ka përmendur rrezikun e shndërrimit të raporteve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë në “marrëdhënie të presionit”, kufizimin e burimeve dhe përkrahjes financiare dhe pamundësinë e njohjeve të reja apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai ka kërkuar nga qeveria që në bashkërendim me presidenten dhe Kuvendin e Kosovës të bëjë një balancë të mirëarsyetuar mes nevojës për përmbylljen e shpejtë të dialogut dhe prolongimit të tij, në funksion të konsolidimit të jashtëm dhe zhvillimit të brendshëm të Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi, ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë për njohje reciproke në kufijtë aktualë dhe duke ruajtur kushtetutshmërinë e vendit. “Përveç dialogut çfarë ka ndikuar në politikën tonë të jashtme, duhet përmendur se ne nuk kemi pasur ambasada të përgatitura që të shtyjnë tutje agjendën e Kosovës. Ambasadat tona janë udhëheq prej njerëzve që kanë qenë fytyra politike të partive në pushtet që shumicën e rasteve u kanë shërbyer partive politike dhe interesave të tyre private”, ka thënë Pacolli-Dalipi.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka deklaruar se mungesa e një marrëveshje finale po e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. “Një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare duhet të sjellë njohje reciproke të dy vendeve, gjithashtu duke respektuar kufijtë aktualë dhe kushtetutshmërinë e Kosovës”, ka thënë ajo, duke shtuar se status quoja dëmton Kosovën. “Staus quoja nuk është e mirë për dyja palët, por aq më tepër për Kosovën për shkak se ne jemi në një situatë tjetër, pasi nuk kemi liberalizim të vizave. Pastaj ju keni përmendur në raport se mungesa e një marrëveshje finale pengon në anëtarësime të Kosovës në organizata ndërkombëtare, s’po flasim vetëm për kohën sa kishte moratorium, por në vazhdimësi”, është shprehur ajo.

Ndërsa anëtari i kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj, ka vlerësuar se në kuadër të politikës së jashtme duhet të dallohet objektivi për rrugëtim me BE-në dhe anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i definojë qartë objektivat e Kosovës në dialog. “Politika jonë e jashtme në raport me BE-në ka qenë dhe vazhdon të jetë ngushtë e lidhur me atë se çfarë është arritur, çfarë po bëhet dhe çfarë mund të arrihet në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, ne në vazhdimësi kemi provuar dhe duhet të vazhdojmë të provojmë që ta ndajmë objektiven në anëtarësim në BE dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe fuqizim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar me palë të treta”, ka deklaruar Nikaj, duke shtuar se Kosova është në një moment ku sa më shpejt duhet të definojë dhe ndërtojë një konsensus politik dhe shoqëror për dialogun.

Sa i përket rolit të partive opozitare, Nikaj ka theksuar se ato duhet të jetë në përputhje me atë që ka definuar Gjykata Kushtetuese dhe zhvillimet e mëparshme.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Tomas Kolly, i cili ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të përqendrohen në anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai ka potencuar rëndësinë e politikës së jashtme brenda sistemit qeverisës të një vendi, posaçërisht në rastin e Kosovës ku politika e jashtme është shumë më e rëndësishme krahasuar me vendet e tjera.

Kolly ka vlerësuar se dialogu me Serbinë është pjesë shumë e rëndësishme e politikës së jashtme të Kosovës, duke shtuar se ky proces ndikon jetën e pothuajse secilit qytetar. “Politikat e jashtme janë gjithmonë çështje e veçantë e sistemit të qeverisjes dhe sidomos në Kosovë ku politikat e jashtme janë tërësisht thelbësore, sidomos kur flitet për dialogun. Mendoj se politika e jashtme ka pasur ndikim në secilën ndikim në secilin qytetar dhe e njëjta është e rëndësishme më shumë për Kosovën sesa për shtetet e tjera”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK, ka thënë se marrëveshja me Serbinë është kyçe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se kjo çështje është kryesorja në çdo komunikim ndërkombëtar të liderëve të Kosovës me liderët e shteteve të tjera.

Në hapjen e konferencës, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka folur për punën e KDI-së në raport me procesin e dialogut dhe mbështetjen e vazhdueshme të ofruar ndaj Kuvendit të Kosovës në mbikëqyrjen sa më efektive të këtij procesi. Ai ka theksuar nevojën e angazhimit të shoqërisë civile dhe bashkëpunimin sa më të madh të këtij sektori, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, përmes krijimit të platformave të përbashkëta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria franceze do të subvencionojë me 100 euro çdo qytetar,…