Pjesëtarët e FSK-së dekorohen me medalje pas kthimit nga misioni i parë ushtarak jashtë vendit

25 tetor 2021 | 17:31

Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt të hënën ceremonia e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e FSK-së të kthyer pas përfundimit të misionit të tyre në operacionin paqeruajtës dhe të stabilitetit përkrahë forcave amerikane të Gardës Kombëtare të Iowas në Lindjen e Mesme në Kuvajt, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021

Me këtë rast, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ndau medaljet “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare” të akorduara nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hynor Lajqi dhe ushtar Mehmet Mehmeti. Kurse medaljet për “Shërbim të Shquar” ai i ndau pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowas, kapiten Wesley R. Gudenkauf dhe rreshter i klasit të parë Mattheë G. Sandersen.

Syla në emër të ministrit Mehaj ka theksuar se ka nderin e veçantë të përshëndesë ushtarakët që bënë historinë për Republikën e Kosovës me zbarkimin e parë në mision paqeruajtës jashtë vendit përkrah aleatëve të përhershëm, forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë”, ka deklaruar Syla.

Me këtë rast, ai ka falënderuar partnerët amerikanë për kontributin e tyre të dhënë për përfaqësimin e FSK-së jashtë vendit.

Gjithashtu, pjesëtarët e FSK-së u dekoruan edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me medaljen për “Shërbim Vetëmohues”, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin e parë paqeruajtës.

No photo description available.

Në këtë ceremoni, gjeneral Rama i ka përgëzuar pjesëtarët e dekoruar të FSK-së për mision e kryer me sukses dhe për kontributin e dhënë në emër të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale.

Gjithashtu, gjeneral Rama ka falënderuar ushtrinë amerikane për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.

“Falë partnerëve tanë strategjikë ne tani nuk jemi konsumues të sigurisë por edhe e prodhojmë atë. Ky ka qenë misioni jonë, të kontribuojmë sa më shumë në paqen globale”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, gjeneral Rama iu ndau medalje për “Shërbim vetëmohues” edhe pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowas me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin me kontingjentin e FSK-së në këtë operacion.

Në këtë ceremoni, ndër të tjera, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose ka falënderuar ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit. “Ju keni kontribuar që të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, ka theksuar ndër të tjera kolonel Rose.

Kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowas në Lindje të Mesme, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti shqiptar nga Gjakova, Eros Grezda është infektuar me Covid-19.…