BE-ja po shqyrton rihapjen e misionit në Afganistan

27 tetor 2021 | 15:23

Bashkimi Evropian (BE) nuk e ka në plan të njohë zyrtarisht qeverinë e udhëhequr nga talibanët, megjithatë është duke e shqyrtuar mundësinë e rihapjes së misionit diplomatik në Afganistan, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, Nabila Massrali, zëdhënëse e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Ajo për të cilën po angazhohet BE-ja tani është krijimi i një pranie minimale në terren”, ka thënë ajo.Më 24 tetor, “Financial Times” ka raportuar se Bashkimi Evropian po synon të rihapë përfaqësinë diplomatike në Afganistan.

Sipas këtij mediumi kjo po planifikohet të ndodhë brenda një muaji në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për t’u përballë me administratën e talibanëve.

Mirëpo, zëdhënësja e BE-së nuk ka përmendur afate kohore. Ajo ka thënë se një rivendosje e pranisë në Afganistan nuk përbën njohje zyrtare për administratën e talibanëve.

Talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit në fund të muajit gusht pas tërheqjes së forcave ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

BE-ja, sipas zëdhënëses Massrali synon që përmes një pranie në këtë vend të mundësojë ndihmën për afganët në nevojë dhe gjithashtu t’u ofrojë ndihmë shtetasve të BE-së të cilët duan të largohen nga vendi.

Komisioni Evropian më 12 tetor ka premtuar ndihmë prej 1 miliard euro për Afganistanin. Ndihma e komunitetit ndërkombëtar është e kushtëzuar për talibanët pasi atyre u kërkohet, ndër të tjera, të mos lejojnë që territori të përdoret nga grupe terroriste, respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe lejimi i forcave të tjera politike në një qeveri kalimtare.

Massrali ka thënë se për të rifilluar ndihmën e rregullt këto kushte duhet të plotësohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja e njohur,Einxhel Shkira, është bërë mbrëmjen e djeshme pjesë…