Kurti: Takimi i ardhshëm me Vuçiqin varet nga BE-ja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ka folur edhe për dialogun dhe takimin e mundshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Shefi i ekzekutivit është shprehur se s’ka datë për takimin me presidentin e Serbisë dhe takimi varet nga BE-ja.
“Takimi do të mund të ndodhte diku në gjysmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dy shteteve tona, ndërsa sa i përket udhëheqësve të shteteve nuk ka ndonjë datë për këtë gjë, por kjo varet në masë të madhe prej lehtësuesit, gjegjësisht prej përfaqësuesit të lartë Josep Borell dhe emisarit të tij Lajçak”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Kurti ka thënë se bllokimi i boksierëve kosovarë nga Serbia për të marrë pjesë në kampionatin botëror ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të Serbisë.