Kurti: E kemi gjetur Ministrinë e Bujqësisë me 40 milionë euro obligime financiare

29 tetor 2021 | 11:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se e kanë gjetur këtë ministri me 40 milionë euro obligime financiare ndaj fermerëve. Ai ka thënë se vitin 2022 do ta nisin me zero obligime financiare ndaj tyre.

“I kemi gjetur 40 milionë euro obligime ndaj fermerëve në kategorinë e subvencioneve që i kemi adresuar. Kur e kemi marr detyrën me 23 mars këtu kemi gjetur 40 milionë euro obligime. Me buxhetin e ri po e fillojmë me zero obligime financiare karshi fermerëve. Adresimi ka ndodhur gjatë këtij viti. . Me buxhetin e vitit 2022 do ta fillojmë me zero obligime financiare ndaj fermerëve, edhe për 11 milionë buxhet shtesë për ta”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përmendur edhe hartimin e strategjisë për zhvillimin e bujqësisë për vitet 2021-2027 dhe atë të pylltarisë për vitet 2021-2031.

“Sektori i bujqësisë është i një rëndësie të veçantë për qeverinë sepse përveç që prodhon e krijon ushqim, krijon edhe vende pune. Vizioni ynë është për një bujqësi kualitative, me programin tonë qeverisës po angazhohemi për nxitje të investimeve të reja. Ju kemi përgjigjur kërkesës së prodhuesve që shteti t’i ndihmojë duke subvencionuar gjysmën e kamatës. Zgjerimi i prodhimtarisë dhe zhvillimi i bujqësisë zhvillohen më mirë me përkrahjen e fermerëve meritor. Pas 8 viteve pa strategji, Qeveria ka hartuar strategjinë për zhvillimin e bujqësisë 2021-2027 dhe për pylltarinë 2021-2031. Çdo avancim i politikave duhet të ketë evidencë të fortë dhe transparencë për të gjithë. Ne kemi sjellë ligjshmëri dhe i kemi zbatuar në përpikëri Rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse Graniti i ka thënë se e sheh vetëm…