Autoriteti i Konkurrencës: S’kemi mandat t’i rregullojmë çmimet e produkteve

29 tetor 2021 | 12:22

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka sqaruar se nuk kanë mandat që të rregullojnë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi. Sqarimi ka ardhur pasi kohëve të fundit në AKK janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimeve të produkteve.

Megjithatë, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK-ja ka thënë se ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

“Kohëve të fundit, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK) janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës. Për këtë arsye, përmes kësaj deklarate për media, sqarojmë se AKK-j, ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi. Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK-ja vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg. Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar). Gjithashtu, AKK-ja mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”.

“Natyrisht, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër. Përveç kësaj, AKK-JA në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, është thënë në reagimin e AKK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatbardha Aliu shpall te pavlefshme diplomen e shkolles se mesme…