Osmani: Kosova ka nevojë sërish për ndihmën e shteteve mike si Portugalia

29 tetor 2021 | 16:19

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës në Portugali u prit nga Forcat e Armatosura të Portugalisë, në vendin prej nga forcat portugeze iu bashkëngjitën intervenimit të NATO-s në Kosovë, më 1999.

Në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes, presidentja Osmani u takua me ministrin e mbrojtjes Joao Gomes Cravinho, shefin e Forcave të Armatosura të Portugalisë, admiralin Silva Ribeiro, shefin e Forcave Detare, admiralin Mendes Calado, shefin e Ushtrisë, gjeneralin Nunes da Fonseca dhe shefin e Forcave Ajrore, generalin Joaquim Borrego.

Në takim me ta, Osmani ka falënderuar Portugalinë, e cila më 1999 ishte pjesë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Ushtria e këtij shteti ka qenë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë me afro 6 mijë ushtarë.

Sipas saj, Kosova ka nevojë sërish për ndihmën e shteteve mike si Portugalia.

“Nga pozita e komandantes supreme të Ushtrisë së Kosovës, ju them se ne kemi nevojë për ndihmën tuaj sërish. Kësaj here jo për të na shpëtuar jetën, por për të ndërtuar partneritet me ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i zgjeruar kapacitetet e saj dhe është në proces të transformimit. Ushtarët tanë sapo janë kthyer nga misioni i parë paqësor bashkë me ushtrinë amerikane në Kuvajt. Kam besimin e plotë se ushtria jonë mund të përfitojë shumë nga përvoja e ushtrisë suaj. Përveç bashkëpunimit në fushën ushtarake, në një të ardhme të afërt forcat tona dua t’i shoh krahas forcave tuaja në NATO. Kjo aleancë është synim i yni dhe interes strategjik”, ka theksuar presidentja Osmani.

Në këtë pritje, me motivacionin për kontributin për lirinë dhe paqen e Kosovës, Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake paqeruajtësit portugezë që morën pjesë në mision në Kosovë nga viti 1999 e deri më 2017.
Osmani ka takuar ministrin e brendshëm Eduardo Cabrita dhe pjesëtarë të forcave të rendit të këtij shteti, të cilët kanë shërbyer në Kosovë.

Presidentja Osmani ka falënderuar ata për kontributin e dhënë, duke çmuar lart rolin e Portugalisë në angazhimin në Kosovë që nga viti 1999.

Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, duke u angazhuar për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi.

Presidentja Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës në nivel ballkanik e ka besimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës.

Në këtë kontekst, Osmani ka kërkuar nga ministri Cabrita të shkëmbehen përvojat, në mënyrë që Policia e Kosovës të përfitojë nga ajo portugeze.

Më tej, në këtë takim, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e orientuar qartë në rrugën e saj evropiane dhe se synim primar mbetet anëtarësimi në BE, NATO, Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Presidentja Osmani e ka falënderuar Portugalinë që është zë i fuqishëm në përkrahje të liberalizimit të vizave dhe të procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit nga Lidhja Demokratike…