Lideri i PDK-së viziton familjen e Thaçit dhe Veselit

06 nëntor 2021 | 17:54

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkuar për vizitë te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të këtij subjekti politik, Kadri Veseli.

“Në Burojë të Skenderajt dhe në Bair të Mitrovicës, vizitova familjet e dy liderëve tanë të pamposhtur – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët tashmë një vit po mbahen në Hagë. Në këto shtëpi ku buron atdhedashuria, në këto familje ku janë formësuar përpjekjet për liri e pavarësi, gjithmonë gjejmë derën hapur e frymëzimin për të mos u dorëzuar përballë sfidave për ta çuar Kosovën përpara”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se malli e dëshira për kthimin e bijve të tyre është e madhe, por, sipas tij, më e madhe është mburrja e krenaria që kanë për ta.

“Sepse këto familje kanë rritur djem çlirimtarë, që mision jetësor e kanë pasur dhe e kanë Kosovën e lirë dhe të zhvilluar. E vërteta për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e patjetërsueshme e nuk mund të deformohet kurrë. Fitorja e betejës së fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta dëshmuar pastërtinë e kësaj lufte do të jetë vulë e historisë së lavdishme të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani është rikthyer në pozitën e parë në renditjen e…