Ministrja Haxhiu pret në takim një delegacion nga Bashkimi Evropian

09 nëntor 2021 | 16:52

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shoqëruar nga zëvendësministrja Nita Shala, këshilltari i lartë dhe shefi i kabinetit, Genc Nimoni, ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e lartë të BE-së të kryesuar nga Vassilis Maragos, Plamena Halacheva, Jarmo Feliks Helppingas dhe zyrtarë të tjerë.

Fillimisht, Maragos ia ka dorëzuar ministres Haxhiu Raportin e Progresit, ndërkohë që kanë diskutuar për proceset e rëndësishme, përfshirë sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe procese tjera që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministrja Haxhiu e ka njoftuar Maragosin me nismat të cilat i ka iniciuar Ministria e Drejtësisë  dhe ato që po ndërmerr në konsolidimin e sistemit të drejtësisë me qëllim të fuqizimit të shtetit të së drejtës. Theks të veçantë, Haxhiu i ka kushtuar procesit të vettingut, i cili sipas saj mbetet një nga prioritetet kryesore të kësaj ministrie.

Haxhiu gjatë takimit gjithashtu ka vlerësuar bashkëpunimin me partnerët e Bashkimit Evropian duke theksuar nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë dhe mbështetjes profesionale të reformës në drejtësi.

Nga ana e tij, Maragosi ka shprehur kënaqësinë për takimin e sotëm, duke mirëpritur përkushtimin e qeverisë për avancimin e  agjendës për reforma në sundimin e ligjit në Kosovë në pajtim me standardet evropiane. Më tutje,  Maragosi ka siguruar ministren e Drejtësisë se mbështetja e Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë do të vazhdojë për qëllim të arritjes së synimeve të përbashkëta në zhvillimin e një sistemi të drejtësisë funksional, profesional dhe llogaridhënës në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me ç’rast ndër të tjera, të pranishmit në takim u dakorduan për një bashkëpunim me të ngushtë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta sa i përket objektivave të sundimit të ligjit, liberalizimit te vizave  dhe për të rritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të martën janë dëmtuar posterët e kandidatit të PDK-së për…