BeH dhe KOSOVA, SI MUND TË SHMANGEN SKEMAT E PARALELIZMAVE?
Analistë usharakë dhe diplomat të karrierës në Perendim tash më e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështetet nga Pekini. Dhe të gjitha këto po ndodhin në kufinjt e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantojë sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATOs, prandaj në të ardhmen mbetet seriozisht të shqyrtohet kjo mundësi edhe nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet jo vetëm për vendin tone, por edhe për gjithë rajonin.
Nga Mehmet PRISHTINA
Se si do të jetë e ardhmja e Kosovës sipas skenarit serb, mjafton të shikoni çka po ndodhë aktualisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, paralajmëroi në fillim të javës që shkoi se marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga SHBA-ja e nënshkruar në fund të luftës, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit, rrezikon të shembet nëse nuk ndërmerren veprime për të ndaluar separatistët serbë që po shkojnë drejt shkëputjes.
“Synimet e rrezikshme” të Dodikut kërcënojnë paqen. Kështu i vlerësojnë analistët njoftimet për anulimin e njëanshëm të ligjeve shtetërore të Bosnje-Hercegovinës në territorin e Republikës Srpska. Milorad Dodik, udhëheqësi serb në presidencën kolektive të Bosnjë dhe Hercegovinës, po fut legjislacione që do të ndante Republika Srpska nga institucionet e përbashkëta të shtetit siç janë forcat e armatosura dhe organet gjyqësore.
Javë më parë Serbia filloi të ndërtoj një bazë ajrore jashtë kufijve të saj, në një shtet tjetër, dhe konkretisht një aeroport të madh ndërkombëtar në qytetin e vogël të Trebinjës, që ndodhet në pjesën e të ashtuquajturës “Srpska Republika” në shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Në 30 gusht media e Bosnje-Hercegovinës “Sarajevo Times”, me titullin “Qeveria kroate po i kërkon shpjegime Bosnje-Hercegovinës për aeroportin e Trebinjes”, njoftonte se “aeroporti i Trebinjës ta tërhequr vëmendjen e autoriteteve kroate, të cilat po i kërkojnë tani shpjegime Bosnjë-Hercegovinës që të sqarojë se çfarë është planifikuar ekzaktësisht të ndërtohet në atë zonë kufitare me Kroacinë”.
Ky përbindësh serb nuk mbiu si këpërdhë, por ai ishte i ideuar në detaje nga estabilshimenti politike e ushtarak i Beogradit. Ana Bernabiç, në një fjalim në Nova Topola në 13 nëntor 2020 aeroportin në Trebinje e cilësoi “projekt i ri dhe i madh strategjik, që ju do ta ndjeni fuqinë e Serbisë këtu në “Srpska Republika”.
Beogradi po synon ta dekompozojë shtetësinë e BeH, duke gllabëruar territore të saj në emër të zgjerimit të idesë hegjemoniste të Serbisë së Madhe. Kjo po ndodhë ende pa u tharë plagët e masakrave të kryera në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, siç ishte ajo e Srebrenicës me 8 mijë viktima (11 dhe 22 korrikut 1995), dhe ende pa kërkuar falje askush nga krerët serbë për gjithë këta lumej gjaku. Madje disa prej tyre, siç është Milorad Dodik, janë irituar së tepërmi nga futja e fundit e një ligji nga zyra e Komisionerit të Lartë që mund të japë dënime me burg për këdo që mohon kryerjen e gjenocidit. Duke kontestuar ligjin, Dodik pat thënë: “Kjo është gozhda në arkivolin e Bosnjës… Republika Srpska nuk ka zgjidhje tjetër veçse të fillojë… shpërbërjen”.
A mund të inskenohen skenarë të njejtë në Kosovë, sipas modelit serb në Bosnjë e Hercegovinë?
Nëse i vërejmë disa zhvillime që kanë ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë dhe pretendimeve serbe në Kosovë, nuk është vështirë të konstatojmë se janë të njejtat metoda, por me mjete tjera, që po përdoren për të defaktorzu shtetësinë e Kosovës perms një projekti i quajtur Bashkësia e komunave me shumicë serbe.
Edhe në Bosnje kështu kishte filluar. Së pari ishte formuar Bashkësia e komunave me shumicë serbe, pastaj si rrjedhojë logjike, kishte ardhur Republika Srspka.
Në Bosnjë po kontestohet Marrëveshja e Dejtonit, kurse në Kosovë Serbia nuk ështl e kënaqur me Pakon e Ahtisarit dhe synon përtej kësaj të krijoj një entitet të ri që do të ishte nën kontrollë të Beogradit. Bashkësia e komunave me shumicë serbe, sipas planeve të Serbisë, nesër mund të shkojë rrugës nga po shkon Republika Srpska dhe në këtë mënyrë, Kosova nga një shtet me sovranitet të plotë, me Asociacioni bëhet një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.
Historia e ekspansionizmit serb njeh vetëm pushtime të tokave të huaja, kuptohet në bashkëveprim edhe me aletatët tjerë ballkanik. Kështu ndodhi edhe me rastin e nënshkrimit të traktati të fshehtë të aleancës ndërmjet Serbisë dhe Greqisë, ku përveç Kosovës (Serbia e Vjetër), Serbia kishte kërkuar edhe Shqipërinë veriore. Rritja territoriale e synuar, nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si rritje e shtetit serb. Ky objektiv, do të përmbushej pjesërisht nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, ku nga 37.7 mijë km2 territori i Serbisë u rrit në 52.7 km, në kurriz të vendeve fqinje, sidomos kundrejt territoreve shqiptare. Ky traktat, sikundër dihet, erdhi si rezultat i fitores së Rusisë në luftën me Perandorinë Osmane, e cila me kushtet që i imponoi kundërshtarit kërkoi t’i vinte përpara faktit të kryer Fuqitë e Mëdha, duke e kthyer disfatën tërësisht në interes të politikës së saj në Ballkan. Në këtë periudhë çështjet kombëtare të vendeve ballkanike do të vendosen sërish përball njëra-tjetrës, ashtu si edhe në të shkuarën, interesat ekspansioniste të Perëndimit dhe Lindjes, duke vënë në pikëpyetje ekuilibrin e forcave.
Me pjesëmarrjen në Traktatin e Shën Stefanit, Serbia orienton vektorët e saj politikë drejt Lindjes, ku identifikonte edhe përkatësin e saj etnike, si pasojë e ndikimit të fortë të Kishës Ortodokse. Megjithatë, ky orientim gjeopolitikë drejt Lindjes nuk do të ishte I plotë. Përkatësia territoriale në Evropë dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha në rajon do të bënte që Serbia të dyzohej në orientimin e saj. Ky dyzim do të vazhdojë deri më sot dhe do të njihet si politika e Beogradit me “një këmbë në Lindje dhe një në Perëndim”. Nga ana tjetër, Perëndimi nuk mund të qëndronte indiferent ndaj kësaj lëkundjeje dhe thirri Kongresin e Berlinit për rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit, ku synohej rivendosja e ekuilibrit të forcave, duke u mbështetur mbi parimin e legjitimitetit – një synim që nuk u realizua për shkak të vetë qëllimeve ekspansioniste të fuqive kryesore të kohës, të cilat binin në hapësirën e interesit të vendeve të Ballkanit. Traktati i vitit 1881, parashikonte se në rast se “Serbia do të ishte në gjendje të fitonte territore në drejtim të kufirit jugor, Austro-Hungaria nuk do të kundërshtonte një shtrirje të tillë”, madje “do të përpiqej pranë Fuqive të tjera me qëllim që të merrej një qëndrim i favorshëm”. Edhe njëherë, Serbia do të aspirojë drejt territorit shqiptar. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë, me një vijë bregdetare të gjatë që siguron tregti dhe kontakt të shpejtë me Perëndimin është lakmuar nga Serbia, fuqia e së cilës kufizohet pikërisht nga gjeografia e saj kontinentale pa dalje në det. Kongresi i Berlinit u pasua nga 35 vjet paqe të qëndrueshme, por antagonizmat mes Fuqive nuk u shuan.
Krijimi i një shteti me hapësirë territoriale që përfshinte të “gjithë serbët” në një njësi politike dhe përmbushte gjithë nevojat e kombit do të vazhdojë të përvijojë politikën serbe dhe rezultat i saj do të jenë krijimi i dy formacioneve politikoshtetërore, ku Serbia do të luaj rol qendror dhe do të synoj dominimin politik, duke e identifikuar veten si lider i popujve sllavë dhe zemra e shteteve sllave të jugut.
Në rrethanat e sotme, pavarësisht kushtëzimeve të rendit ndërkombëtar, Serbia vazhdon të shfaq këtë tendencë ekspansioniste në mënyrë më të moderuar, duke kërkuar të ndikojë në shtet fqinje ku ka popullsi serbe: rastet më tipike janë Republika Srpska dhe Kosova, të cilat Serbia i sheh në kuadër të një projekti madhor për realizimin e idesë së Serbisë së Madhe. Kjo, mbase, është edhe arsyeja se pse Beogradi po ngutet të fus në dy binarë paralel politikën e saj ekspansioniste – në njërën anë duke ushtruar trysni në BeH për shkëputje përfundimtare të Republika Srspska dhe në Kosovë për të Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe në anën tjetër, duke lancuar ide gjoja integruese, siç është “Open Ballkan”, gjë që nuk është asgjë tjetër pos një ballon provues i Beogradit i mbushur me gasrat e mbetura nga mesjeta e “botës serbe”.
BE është tepër inerte ndaj zhvillimeve të fundit në Ballkan. Brukseli po e negzhizhon së tepërmi ndikimin e krizës së BeH në hapësirat tjera të Ballkanit. Por analistë e vëzhgues të ndryshëm janë shprehur të shqetësuar se ky ndikim është i pashmangshëm. Jasmin Mujanoviq, autor i librit “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans”, tha se do të ishte një “katastrofë për Bashkimin Evropian dhe komunitetin Atlantik më gjerësisht, pasi do të ishte një krizë tjetër e sigurisë në një gjendje jashtëzakonisht të paqëndrueshme në juglindje të Evropës”. Ai vuri në dukje se me krizat e sigurisë tashmë ekzistuese në Ukrainë, Bjellorusi, Siri dhe Afganistan “një përkeqësim i rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës është diçka që BE dhe SHBA vështirë mund ta përballojnë”.
Këto dridhje tektonike që pritet të shkundin edhe më tepër hapësirën ballkanike nuk mund të mbetet pa impakt edhe më të ku pashmangshëm mund të pritet ndikimi i Rusisë dhe Kinës. Në anën tjetër diplomatët dhe mediat me ndikim në Evropë tash më e kanë shprehur hapur keqardhje për dështimin historik të Perëndimit, sidomos të BE-së,për të vendosur sanksione ose për të vepruar ndryshe kundër atyre që nxisin konflikte në Bosnje-Hercegovinë.
Është hera e dytë që BeH, pas masakrës së Srebrenicës, po e pëson rëndë nga neglizhenca e Evropës dhe shqetësimi bëhet më i madh nëse kjo neglizhencë vazhdon të trimërojë Serbinë edhe në rastin e Kosovës.
Analistë usharakë dhe diplomat të karrierës në Perendim tash më e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështetet nga Pekini. Dhe të gjitha këto po ndodhin në kufinjt e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantojë sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATOs, prandaj në të ardhmen mbetet seriozisht të shqyrtohet kjo mundësi edhe nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin.
Prishtinë, 8 nëntor, 2021