Morina: Do të luajmë për fitore kundër Norvegjisë dhe Danimarkës

11 nëntor 2021 | 10:50

Basketbollistët e Kosovës kanë vizituar Qendrën Nacionale të Basketbollit, duke u dhënë motiv basketbollistëve të stërviten dhe t’i realizojnë ëndrrat e tyre.

Qendra Gëzim Morina ka mbetur shumë i kënaqur me punën që po bëhet në këtë qendër.

“Mendoj se është një gjë shumë e rëndësishme dhe për këtë e përgëzoj Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe të gjithë themeluesit e projektit. Është shumë e rëndësishme sepse stërvitjet janë elementare për një lojtar të jetë i suksesshëm. Këtë mundësi nuk e kemi pasur ne derisa kam shkuar në Slloveni. Është e mirë se stërvitjet dy herë në ditë janë baza për të qenë i suksesshëm. Mesa kuptova, stërviten dy herë në ditë dhe kanë trajnerët më të mirë (Arben Krasniqi, Driton Obërtinca dhe Valentin Spaqi), prej të cilëve çdo ditë mund të mësojnë dhe është një nga projektet më të rëndësishme nga FBK”, është shprehur Morina për faqen zyrtare të FBK-së.

Basketbollisti i Golden Eagle Yllit ka folur për dy ndeshjet e Kosovës, ndaj Norvegjisë më 25 nëntor dhe Danimarkës në Prishtinë më 28 nëntor.

“Jam shumë i lumtur sepse në dy herët e fundit (grumbullimet) nuk kam mundur të jem pjesë e përfaqësueses. Norvegjia dhe Danimarka janë ekipe të mira. Fatkeqësisht, do të na mungojë Lis Shoshi, i cili do të na kushtojë shumë. Për momentin jam shumë mirë dhe shpresoj të jetë kështu deri në fund”, ka shtuar Morina. Ai ka folur për gjasat e Kosovës në parakualifikimet e “Euro 2025”.

“Danimarka është një përfaqësuese cilësore, ndërsa për Norvegjinë nuk kam shumë informacion, por ne do të bëjmë më të mirën tonë. Shpresoj në paraqitje të mira. Më gëzon fakti që ndeshjen e dytë do ta luajmë në shtëpi përballë ‘dardanëve’. Ne do të luajmë për fitore në dy ndeshje, pastaj varet nga forma dhe hollësitë e tjera”.

Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kosovës ndihet shumë mirë kur “Dardanët” janë në tribuna.

“Është kënaqësi të luash pas një kohe të gjatë me tifozë. ‘Dardanët’ janë një shtysë e madhe për ne, sidomos në çastet e fundit të ndeshjes, ku ndihet lodhja. Është e papërshkrueshme ajo forcë shtesë që na japin tifozët dhe shpresoj të vijnë në numër sa më të madh dhe t’i gëzojmë me fitore”, ka përfunduar Morina.

Në ndeshjen ndaj Danimarkës do të lejohen 10 % e tifozëve për shkak të masave kundër Covidit në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stuhitë e dendura në disa pjesë të Kinës verilindore kanë…