Istogu ka shpresë, shpresa është Bekë Berisha

11 nëntor 2021 | 21:11

Ka mbetur vetëm edhe një ditë për fushatën zgjedhore të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte sot në tubim në Vrellë të Istogut ku ka thënë se tashmë një kohë të gjatë Istogu njeh vetëm një kulturë qeverisëse dhe se duke njohur atë kulturë ndoshta edhe nuk e di se si janë mënyrat e tjera të qeverisjes.

“Ndoshta janë dorëzuar njerëzit, ndoshta edhe fare nuk besojnë se mundet edhe ndryshe”, ka thënë Haradinaj gjatë fjalimit të mbajtur në këtë tubim.

Ai më tej deklaroi se ka mënyra të tjera shumë më të mira të qeverisjes, duke shtuar se Istogu e ka mjaft afër këtë shembull dhe se mjafton të shikohet se si qeveriset Klina.

“Kur bëhet punë e mirë, kur respektohet qytetari, kur veprohet në vazhdimësi së bashku me qytetarin dhe qeveriset me qytetarin, kështu do e gjeni edhe në Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Deçan dhe unë besoj se edhe Istogu e meriton me hy në një nivel të ri të qeverisjes, një qeverisje vepruese që vërtet din me qeverisë me qytetarin për çështje që qytetari ka interes në vendin e vet, pra me e bërë komunën e juaj vend më të jetueshëm”.

Ai tha se kandidati i tyre për Istogun Bekë Berisha deri më sot secilën punë që ka nisur e ka përfunduar me sukses, prandaj, sipas tij, do të jetë kryetar i mirë për qytetarët dhe për komunën.

“Ju siguroj që para vetes keni jo vetëm ndryshimin, por keni kualitet të mirë të qeverisjes për Istogun tek Bekë Berisha, tek numri 121. Istogu ka shpresë, shpresa është Bekë Berisha dhe këtë shpresë nuk e shohim vetëm si të Aleancës por e shohim të gjithë atyre që dëshirojnë dhe kanë guxim me vendos për ndryshim atëherë bashkohuni sepse është për ju. Na priftë e mbara”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-emisari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe…