Hoti drejton kritika për diplomacinë e Kosovës

29 maj 2018 | 11:38

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se politika e jashtme e vendit tonë ka kaluar në defanzivë.

Ai ka thënë se sukses i diplomacisë së Kosovës konsiderohet parandalimi i tërheqjeve të njohjeve.

“Politika e jashtme e Kosovës ka kaluar në defanzivë dhe është reduktuar në aktivitete për përmirësimin e imazhit të Thaçit. Krejt shërbimi diplomatik i Kosovës është vënë në funksion të përmirësimit të imazhit të tij personal. Televizioni publik, ‘RTK’-ja veç sa nuk ka hapur një kanal të veçantë për aktivitetet e Thaçit. Disa vende kanë dhënë shenja se do ta rishqyrtojnë njohjen e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për njohje të reja. Sukses sot i diplomacisë kosovare konsiderohet parandalimi i tërheqjeve të njohjeve”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Hoti ka thënë se diplomacia e Kosovës duhet të kthehet në funksion të shtetit të Kosovës.

“Ministri i Jashtëm përflitet për pjesëmarrje në borde të ndryshme krahas personaliteteve të dyshimta ruse. Kjo është diplomacia e kryeministrit Haradinaj dhe kryeparlamentarit Veseli, si dy partnerët kryesorë të koalicionit. Komprometimi më tutje i shtetit të Kosovës duhet të ndalohet sa më parë. Diplomacia e Kosovës duhet të kthehet në funksion të shtetit të Kosovës. Ata që i duan të mirën këtij vendi duhet të bëhen bashkë dhe të mbështesin LDK-në dhe partnerët e saj për të ndaluar degradimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të…