Grenelli replikon me shefin e kabinetit të Osmani për raportet e presidentes me Kurtin

15 nëntor 2021 | 17:24

Ish-emiari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell,  e ka pyetur Blerim Velën, shefin e kabinetit të Vjosa Osmanit nëse presidentja e Kosovës e mbështet moszbatimin e marrëveshjes së nënshkruar me Serbinë në ShBA si dhe projektin amerikan për gazsjellësin.

Këtë pyetje Grenelli e ka shtruar pasi Vela i ka replikuar atij kur ka thënë se presidentja Vjosa Osmani nuk pajtohet me kryeministrin Albin Kurti.

“Pra Vjosa Osmani tani mbështet refuzimin e marrëveshjeve ekonomike dhe ofertën e një gazsjellësi për energji të pastër?”, ka pyetur Grenelli.

Vela paraprakisht ka thënë se Grenelli po gënjen.

“Si shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani dua të informoj se Richard Grenell po gënjen kur i referohet deklaratave të Presidentes së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Vela.

Grenelli ka thënë se populli i Kosovës i ka dërguar mesazh të fortë kryeministrit, Albin Kurti në zgjedhjet lokale. Ai ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se ky mesazh erdhi pasi Kurti sipas tij ka refuzuar ShBA-në si dhe për shkak se nuk e ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar me ShBA-në.

“Populli i Kosovës i ka dërguar një mesazh të fortë Albin Kurtit se është e papranueshme ta refuzosh ShBA-në, energjinë e rinovueshme të pastër dhe marrëveshjet e normalizimit ekonomik të nënshkruara në Zyrën Ovale. Vjosa Osmani ia ka bërë të qartë edhe ShBA-së se nuk pajtohet me Kurtin”, ka shkruar Grenelli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së, Fisnik Ismaili, ka reaguar…