Ky është numri i pakove me fletëvotime që KQZ-ja ka pranuar për Dragashin

03 dhjetor 2021 | 14:57

Deri të premten në mesditë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar vetëm 99 pako të supozuara me fletëvotime që u takojnë votimit jashtë vendit për Kryetar të Komunës së Dragashit.

Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai ka përsëritur se KQZ-ja do të presë fletëvotimet deri më 13 dhjetor, kur parashihet të përfundojë kjo periudhë, e cila është e vlefshme vetëm për 1 090 votuesit jashtë Kosovës që i takojnë komunës së Dragashit.

“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri të premten në mesditë, KQZ-ja ka pranuar 99 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ-ja do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1 090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, ka thënë Elezi për “Ksp”.

Votimi përmes postës për Dragashin ka filluar më 29 nëntor pasi Gjykata Supreme ka urdhëruar KQZ-në që të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.

Votat e diasporës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash, ku pas numërimit të votave i pari në garë ka dalë Bexhet Xheladini nga LDK-ja, kurse me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, priti në takim…