![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/10/Zoran-Milanoviq.jpg)
Presidenti kroat para Krishtlindjes viziton Kosovën
Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, do ta zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës në prag të Krishtlindjeve. Ai pritet ta kalojë natën e Krishtlindjes me pjesëtarët e Ushtrisë Kroate të dislokuar në kuadër të operacionit të KFOR-it, ka njoftuar të hënën zyra e tij.
Me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ai më 23 dhe 24 dhjetor do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë, me të cilën do të zhvillojë një takim me të.
Presidenti kroat do të marrë pjesë edhe në takimin e delegacioneve të dy vendeve dhe do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, ka njoftuar zyra e presidentit kroat.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, ai do t’i vizitojë ushtarët kroatë në KFOR me të cilët do ta kalojë natën e Krishtlindjes.
Është planifikuar edhe takimi i Milanoviqit me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari. Orari i udhëtimit të presidentit të Kroacisë përfshin edhe Janjevën, një vend ku jetojnë shumica e kroatëve. Ai atje do të bisedojë me Don Mato Paliq, prift dhe pastor kroat në Janjevë, dhe anëtarë të pakicës kroate për kushtet e jetesës në Kosovë.