Nënshkruhet koalicioni qeveritar në Gjermani

07 dhjetor 2021 | 13:26

Socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë të martën e kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit të ri qeveritar në Gjermani, ku janë caktuar hapat për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe për modernizimin e ekonomisë më të madhe evropiane, posa ta marrin detyrën këtë javë.

Grupimi i pazakontë i tri partive, i pari i kësaj natyre në nivel kombëtar, i jep fund qeverisjes 16-vjeçare të Angela Merkelit, e cila nuk ka garuar për mandatin e pestë në zgjedhjet e shtatorit, shkruan “France24”.

Olaf Scholz i SPD-së pritet ta marrë postin e kancelarit përmes votave në Bundestag dhe nga e mërkura ta fillojë zyrtarisht ushtrimin e detyrës së lartë.

Nën parullën “Guxo për më shumë progres”, anëtarët udhëheqës të të tria partive e kanë nënshkruar para kamerave marrëveshjen e shtypur në 177 faqe.

“Ky duhet të jetë një mëngjes për një fillim të ri”, ka thënë kancelari i ardhshëm gjerman. Ndërkohë menaxheri i fushatës së Të Gjelbërve, Robert Heinrich, në llogarinë e vet në “Twitter” ka shkruar: “U bë”.

Në këtë postim ai ka publikuar edhe një fotografi ku shiheshin nënshkrimet në marrëveshje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë sot se kryeministri…