Kurti për sanksionet e ShBA-së: Askush s’do të jetë më i fortë se shteti, u legjitimua aksioni i policisë

10 dhjetor 2021 | 15:30

Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka folur për sanksionet që Departamenti Amerikan i Thesarit ka ndërmarrë ndaj grupit të organizuar kriminal në veri të vendit.

Kurti ka thënë se sanksionet e ShBA-së mbi këto grupe kanë legjitimuar aksionet që policia ka ndërmarrë kundër kontrabandës në veri të Mitrovicës.

Ai ka shtuar se nuk do të lejojnë asnjë individ e asnjë grup që të jetë më i fortë se shteti e rendi demokratik.

“Sanksionet e ShBA-së mbi këta individë e këto grupe kriminale treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që shtypin e shfrytëzojnë qytetarët e pjesës veriore dhe vërtetuan legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale”, ka thënë Kurti.

Më tutje, ai ka thënë se grupeve kriminale do t’i përgjigjen me luftë të përbashkët të institucioneve pa dallim etnie.

“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional ne do t’i përgjigjemi me luftë të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët tanë. Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e krimit të organizuar në çdo pjesë të vendit”, ka thënë Kurti, duke shtuar për këta muaj të qeverisjes kanë dëshmuar se korrupsioni nuk mund të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik.

“Po e theksoj edhe sot po u dëshmuar e kundërta masat do të jenë të menjëhershme, sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është zero”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjenti i njohur Mino Raiola ka zbuluar një prapaskenë që…