Thaçit i refuzohet kërkesa për lirim nga paraburgimi, mbrojtja do ta apelojë vendimin

15 dhjetor 2021 | 15:59

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur konferenca e tetë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në konferencën statusore, ish-krerët e UÇK-së nuk po marrin pjesë fizikisht në Dhomat e Specializuara, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.

Në fillim të konferencës, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se pavarësisht se sot gjykata mori vendim për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, mbrojtja do ta apelojë vendimin. Por, për shkak të festave të fundvitit, ai ka kërkuar që të shtyhen afatet e apelimit.

“Nga gjykatat e mëparshme janë liruar serbë dhe shqiptarë, por nga kjo gjykatë jo”, ka thënë ai, duke shtuar ata do të respektonin kushtet e lirimit nga paraburgimi dhe kërkoi seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet se pse të pandehurit mbahen në paraburgim për një vit dhe për dilemat që ka Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me Policinë e Kosovës, e cila do të ishte përgjegjëse për sigurinë e të pandehurve nëse ata do të ktheheshin në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar si të jashtëligjshëm…