Ish-presidenti i Gjeorgjisë “sfidon” kreun aktual nga qelia e burgut

16 dhjetor 2021 | 14:16

18  vite më parë, 35-vjeçari Mikheil Saakashvili, një politikan gjeorgjian, udhëhoqi  “revolucionin me ngjyra” në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Pasi u bë president, ai u përpoq të luftonte korrupsionin megjithëse është kritikuar vazhdimisht  për abuzim me  pushtetin, shkruan The Economist

Tani ai ndodhet në burg duke luftuar për jetën pas shtatë javësh  grevë urie. Saakashvili dha dorëheqjen në vitin 2013 pasi partia e tij humbi zgjedhjet, duke i dorëzuar pushtetin Bidzina Ivanishvili, një miliarder që themeloi dhe ka ende kontrollin e partisë  në pushtet.

Ivanishvili e largoi atë nga vendi  dhe i hoqi nënshtetësinë. I urryer nga Kremlini, i cili ka qenë në luftë me Gjeorgjinë në vitin 2008,  Saakashvili i kaloi tetë vitet e ardhshme në Ukrainë, vend ku ai u bë shumë i njohur. Muajin e kaluar ai u kthye në Gjeorgji, dhe sapo mbërriti në vend u arrestua menjëherë, shkruan abcnews.al.

Në një video të publikuar nga qeveria, ai u shfaq gjysmë lakuriq në një spital burgu. Saakashvili i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në gjyqin e tij, pavarësisht se ka qenë anëtar i Parlamentit Europian.

Ndërkohë numri i protestave për mënyrën se si është trajtuar Saakashvili po rriten nga dita në ditë. Dhjetë anëtarë të parlamentit janë gjithashtu në grevë urie dhe sipas mjekut të ish presidentit ai mund të vdesë nga momenti në moment si pasojë e një sulmi në zemër.

Sipas mbështetësve të tij, atij i është mohuar e drejta për të marrë mjekimin e duhur duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën. Nëse ai vdes, atëherë Saakashvili do të bëhet martir. Nëse ai jeton, do të jetë një shembull i rrallë i suksesshëm i rezistencës ndaj  Ivanishvili.

Kjo është një nga shenjat që Gjeorgjia po ecën me hapa mbrapa dhe jo para. Vetëm gjatë këtij viti qeveria ka arrestuar kreun e opozitës, kanë hakuar telefonat e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ambasadorëve të huaj dhe gjithashtu ka hedhur poshtë një marrëveshje që premton drejtësi dhe reforma elektorale.

Qeveria nuk ka arritur të menaxhojë krizën e Covid siç duhet. Por të trajtosh në këtë mënyrë një person të admirueshëm edhe nëse ka të meta, mund të jetë  gabimi më i madh i një qeverie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ditë pasi Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike dorëzoi…