Presidentja: Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës

17 dhjetor 2021 | 11:40

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogun me Serbinë e sheh si një mjet të rëndësishëm për stabilitet dhe zhvillimin e rajonit.

Në adresimin e fundvitit para deputetëve, presidentja Osmani ka thënë se Kosova do të luajë rol konstruktiv në këtë proces, duke dhënë propozime konkrete që mbrojnë interesat e vendit.

“E shoh dialogun me Serbinë si mjet të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë. Kosova do të vazhdojë që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces, duke ofruar propozime konkrete që mbrojnë interesat e vendit tonë, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarët tanë si dhe kontribuojnë në paqe dhe në stabilitet afatgjatë në tërë rajonin”, ka thënë Osmani.

E kjo gatishmëri, sipas saj nuk është edhe nga ana e Serbisë. Ajo ka shprehur shqetësimin se qëllimet e Serbisë po mbesin të njëjta dhe se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës të cilat nuk i fsheh as në retorikë e as në praktikë.

Osmani ka thënë se Serbia e ka për qëllim që të destabilizojë vendet e rajonit dhe Kosovën duke përdorur ide të shekullit të kaluar.

“Nuk e shohim këtë gatishmëri tek Serbia. Në fakt qëllimet e tyre mbesin të njëjta gjithherë sado që strategjitë ndryshojnë.  Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës e këtë nuk e fsheh as në retorikë e as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia e ka për qëllim që të destabilizojë shtetet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën duke përdorur logjikën e shekullit të kaluar. Prandaj rajoni ynë ka nevojë për intensifikim të vëmendjes evropiane dhe amerikane në mënyrë që të neutralizohet ndikimi i mëtejmë agresor ruso-serb në Ballkan”,ka thënë ajo.

Sipas, saj dialogu mund të ketë sukses vetëm nëse nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës në këtë proces.

“Dialogu nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Nga gabimet e së kaluarës duhet të marrim mësime edhe ne por edhe miqtë tanë në BE që e lehtësojnë këtë proces. Dialogu nuk është dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që të s’ëndërrohet në dialog për statusin, territorin, për funksionalitetin e brendshëm dhe për rendin kushtetues të vendit tonë”, ka thënë Osmani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fondi Rajonal i Sfidave (RCF), organizoi konferencën e tij të…