Lajçaku: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi ndikojnë edhe në rajon

17 dhjetor 2021 | 16:15

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirolav Lajçak, ka pohuar se marrëdhëniet mes dyja vendeve kanë ndikim edhe në bashkëpunimin rajonal.

“Sfida e rëndësisë më të madhe strategjike është normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse nuk ka të bëjë vetëm me dy vende duke marrë parasysh se shqiptarët dhe serbët jetojnë në çdo vend të Ballkanit dhe se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ndikojnë në bashkëpunimin rajonal, ndaj zgjidhja e kësaj çështjeje është e një rëndësie strategjike më të madhe”, ka thënë Lajçaku, raporton “Vijesti.me”.

Ai ka folur edhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe situatën e paqëndrueshme politike në Bosnje-Hercegovinë.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria urgjentisht duhet të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Problemi serioz është edhe kriza në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Lajçaku, duke shtuar se “qeveria malazeze aktualisht nuk e ka shumicën në parlament dhe ky problem duhet të adresohet”.

Mbi të gjitha, diplomati evropian ka thënë se sfida themelore është drejtimi që po merr gadishulli ballkanik.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Javier Tebas beson se Barcelona nuk ka fuqi ekonomike për…