Aliu: Zgjatja e pistës së Aeroportit të Prishtinës krijon kushte për lidhjen me transporte të tjera

21 dhjetor 2021 | 11:38

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka mbajtur konferencë së bashku me komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajar, dhe drejtorin e operimeve në LIMAK, Gokman Aritay, në lidhje me përfundimin e zgjatjes së pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Aliu është shprehur se ky përfundimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të rëndësishëm në transportin ajror.

“Është një moment i rëndësishëm, meqenëse përfundimi i këtij projekti ka një impakt të rëndësishëm në transportin të përgjithshëm ajror në vendin tonë, dhe krijon kushtet shumë të rëndësishme për të ardhmen edhe për transportin e mallrave dhe për lidhjen me transporte tjera në vendin tonë”.

“Sa i përket pistës, pista e këtij aeroporti është më e përshtatshme se në aeroportit e regjionit, dhe për sa i përket sistemit të avancuar 3b, nga sistemi 2 që kemi pasur më herët, është një arritje e nivelit të lartë, madje edhe më e mirë se në nivel të rajonit”, ka thënë Aliu, duke shtuar  se me përfundimin e këtij projekti do të shkurtohet edhe koha e fluturimeve.

“Së pari kemi shkurtimin e rrugëve ajrore dhe reduktimin humbjeve financiare dhe kostove për fluturimet që bëhen në vendin tonë, aktualisht është duke u shfrytëzuar hyrja në territorin e Kosovës përmes Shqipërisë, kur bëhet fjalë për fluturimet që bëhen nga perëndimi, të gjitha fluturimet që po realizohen drejt Kosovës po e shfrytëzojnë territorin e Shqipërisë gjë që bën që fluturimet të shkurtohen për 15 deri në 20 minuta”, është shprehur Aliu.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajar, ka thënë se Aeroporti i Prishtinës ka krijuar një infrastrukturë të mirë, duke e modernizuar atë.

“Aeroporti i Prishtinës ka krijuar një infrastrukturë shumë të mirë dhe e ka avancuar duke e modernizuar hapësirën dhe duke e zgjeruar pistën. Përmirësimet e infrastrukturës në aeroportin e Prishtinës janë hap pozitiv për aviacionin në Kosovë dhe në përgjithësi për regjionin e Ballkanit”.

“Qëllimi i kësaj piste është që të përmirësohet trafiku ajror në regjion, duke përfshirë hapjen e rrugëve të reja ajrore në hapësirë ajrore mbi Kosovë, dhe jemi në proces të përfundimit të hapjes së dy rrugëve ajrore mbi territorin e Kosovës”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, drejtori i operimeve në Limak, Gokmen Aritay është shprehur se kjo pistë do të jep mundësi që të lidhim transportin ajror me atë rrugor.

“Ne jemi krenar që kemi kontribuar në këtë drejtim, dhe kemi mbajtur premtimin që projekti të përfundojë në kohë. Kjo pistë do të na jep mundësi të përmirësojmë biznesin e transportit dhe mallrave në tërë Kosovën, sepse dëshirojmë t’i shfrytëzojmë këto mundësi që t’i lidhim transportin ajror me atë rrugor”, ka thënë Aritay.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këto ditë sfida e banorëve në “Big Brother VIP” është…