Kërkohet fillimi i procesit të reformës zgjedhore

21 dhjetor 2021 | 17:25

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) ka organizuar të martën tryezën e diskutimit me temën “Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 dhe ndikimi i saj në punën e Kuvendit të Kosovës” në një diskutim të hapur me përfaqësues të subjekteve politike, KQZ-së dhe shoqërisë civile.

Në hapje të këtij diskutimi, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, ka theksuar se edhe pse Kosova ka arritur standarde demokratike sa i përket organizimit të zgjedhjeve, duhet të fillojë procesi për reformën zgjedhore.

Ai ka thënë se në kuadër të këtij procesi duhet të krijohet kodi zgjedhor që përfshinë disa ligje që duhet t’i adresojnë problematikat e evidentuara në proceset zgjedhore të mbajtura deri tash.

DnV dhe KDI kanë paraqitur një raport dhe një analizë të shkurtër që trajtojnë në dy forma të ndryshme tematikat e tryezës.

Në prezantimin e raportit “Dy raunde të zgjedhjeve lokale – dy lloje fushatash”, Eugen Cakolli, ka thënë se në formatin e fushatës, dy raundet e zgjedhjeve shpërfaqën qasje të ndryshme nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre.

Sa iu përket programeve politike, u potencua se partitë kanë luajtur një rol në përgatitjen e platformave të kandidatëve të tyre, ndonëse është ruajtur një autonomi e konsiderueshme e kandidatëve dhe degëve respektive në këtë drejtim për shkak edhe të specifikave të ndryshme të komunave.

Kurse sa i përket gjuhës së përdorur nga kandidatët, ndonëse në nivel të përgjithshëm ajo ishte e balancuar.

“Gjatë raundit të dytë, rastet e acarimit të gjuhës dhe ashpërsimit të diskursit mes kandidatëve kanë qenë mjaft të shprehura, sidomos gjatë debateve televizive. Element tjetër i rëndësishëm që dëshmon për pjekurinë e subjekteve politike dhe kandidatëve në garë është pranimi i menjëhershëm i rezultatit zgjedhor”, ka thënë Cakolli.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, ai ka paraqitur rekomandimet konkrete të DnV-së për përmirësimin dhe avancimin e fushatave zgjedhore në Kosovë, duke përfshirë shumë dimensione të saj.

Po ashtu, duke qenë se këtë vit Kosova ka përmbyllur me sukses dy procese zgjedhore, u ritheksua se është momentumi i duhur politik për inicimin e procesit të reformës zgjedhore.

Sipas të pranishmëve në këtë tryezë, reforma zgjedhore duhet ta përfshijë rishikimin e një sërë ligjesh, duke përfshirë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjin për Zgjedhjet Lokale, Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike si dhe eventualisht ligjeve të tjera që preken nga ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.

Përgjithësisht, të gjithë pjesëmarrësit e kësaj tryeze konsideruan se është shumë i rëndësishëm fillimi i reformës zgjedhore dhe viti i ardhshëm do të duhej të ishte koha e duhur që të fillojë dhe të përmbyllet suksesshëm ky proces.

Në kuadër të kësaj tryeze u prezantua edhe analiza “Ndikimi i zgjedhjeve lokale 2021 në punën e Kuvendit të Kosovës”.

Agnesa Haxhiu, gjatë prezantimit të saj, tha se fushata zgjedhore ka ulur dukshëm efikasitetin e punës së legjislativit për shkak të fokusit që partitë politike parlamentare kanë pasur në këtë proces zgjedhor, ku si garues morën pjesë rreth 15 për qind e përbërjes së kësaj legjislature.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një…