Shqipe Kryeziu dhe Azbi Gashi, zyrtarë të LV-së në Rahovec, kalojnë në AAK

22 dhjetor 2021 | 18:57

Kryetari i Komunës së Rahovecit, dhe njëherësh kryetar dege i AAK-së në këtë komunë, Smajl Latifi, ka bërë me dije se dy zyrtarë të LV-së i janë bashkuar AAK-së.

“Jam mëse i lumtur t’ju njoftoj, se nga sot pjesë e AAK-së në Rahovec do të jenë edhe znj. Shqipe Kryeziu, magjistër e Fizikës dhe profesoreshë në SHML “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe dhe ekonomisti e profesori në SHMLP “Selajdin Mullaabazi” në Rahovec, z. Azbi Gashi, të cilët aktivitetin e tyre politik të deritanishëm e kanë bërë në LVV, si themelues të degës në Rahovec. Zonja Shqipe Kryeziu do të jetë edhe pjesë e grupit të asambleistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Latifi ka theksuar se përvojat politike dhe profesionale të Kryeziut dhe Gashit do ta kenë hapësirën e merituar për t’i kontribuuar përmirësimit të mirëqenies në komunën e Rahovecit.

“AAK është parti e hapur për të gjithë që duan të punojnë mirë dhe mbarë. Interesi kolektiv prevalon mbi interesat individuale, prandaj ne po rritemi dhe gjithnjë e më shumë njerëz po i bashkohen konceptit tonë. Dy anëtarëve të rinj, u dëshiroj shumë suksese dhe ua ofroj tërë përkrahjen time gjatë angazhimeve që do t’i kenë në të ardhmen”, ka shkruar Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me Policinë e Kosovës…